SPORT, 29 Tetor 2024, 16:53

Legjenda Nevil parashikoi shkarkimin e Ten Hag nga Mançester Junajtid: Nuk mund të jesh i 14-ti pas 9 javësh

Legjenda Nevil parashikoi shkarkimin e Ten Hag nga Mançester Junajtid:

Legjenda e Mançester Junajtid, Geri Nevil, kishte ngulur sytë në topin e tij të kristaltë pas humbjes me Uest Hemin dhe pak orë para shkarkimit zyrtar të trajnerit Erik ten Hag bëri një parashikim se kur mund të shkarkohej trajneri holandez nga detyrat e tij në “Old Trafford”.

“Djajtë e Kuq” u zhytën në thellësi të reja të dielën pasi humbën 2-1 me Uest Hemin me një penallti të vonë të kthyer në gol nga Xharrod Bouen. Ten Hag e quajti vendimin për atë penallti të butë edhe një shembull tjetër padrejtësie kundër skuadrës së tij që po vuan. Humbja i lë “Djajtë” në vendin e 14-të, ndërsa kanë fituar vetëm 11 pikë nga nëntë ndeshjet e tyre të para. Ish-mbrojtësi i djathtë, ndërsa fliste në podkastin e tij në “Sky Sports” tha:

“Ten Hag është i 14-ti në ligë pas 9 javësh, dhe nëntë ndeshje janë gati 25 për qind e sezonit. Do të jetë një shqetësim i madh për të gjithë në klub, sepse nivelet e performancës duhet të ishin ngritur, por ata humbën. Ata janë të 14-ët, kanë shpenzuar një pasuri. Në fund të sezonit të kaluar isha mjaft i qartë se nëse ata janë në të njëjtin pozicion në kampionat pas muajve të parë, do të bëhen shumë pyetje.

Cilado skuadër mesatare, që mund të luajë dhe ka cilësi në pjesë të fushës, mund ta mposhtë këtë ekip të Junajtidit dhe ata janë në rrezik. Unë nuk mendoj se mund të ketë një tjetër humbje fundjavën e ardhshme në ‘Old Trafford’. Por po arrin në atë pikë ku ka një shqetësim të vërtetë, jam i shqetësuar.

Rezultatet, mungesa e golave, mungesa e paraqitjeve po grumbullohen javë pas jave. Këta janë lojtarët që janë rekrutuar kryesisht gjatë dy sezoneve të fundit. Është një kohë kthjellimi. Ata janë të 14-ët. Nuk mund të jesh i 14-ti në ligë pas nëntë ndeshjesh”.