TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Altin Bytyçi del në stërvitje me ekipin e Kukësit. Mbrojtësi i është bashkuar pjesës tjetër të skuadrës dhe është vënë në dispozicion të trajnerit Rraman Hallaçi. 22-vjeçari ka qenë pjesë e Kukësit prej disa sezonesh, ku edhe pse në moshë të re është preferuar shpesh në skuadër, sidomos në pjesën e dytë të kampionatit kur skuadrën e drejtoi Rraman Hallaçi.
Me mbylljen e sezonit aktual, mbrojtësit i skadoi kontrata me verilindorët dhe e ardhmja e tij mbeti mister. Mirëpo, para disa ditësh palët u ulën në bisedime me njëratjetrën dhe paraprakisht ranë dakord për të firmosur edhe për një tjetër vit. Mirëpo, nëse për 22-vjeçarin do të vijnë oferta nga jashtë vendit, atëherë Kukësi nuk do të bëhet pengesë për ta lënë të lirë të vijojë kontratën diku jashtë. Të paktën këto janë detajet që ka arritur të zbardhë gazeta dhe negociatat janë drejt fundit. Mësohet se brenda kësaj jave do të bëhet edhe prezantimi zyrtar i Bytyçit, si lojtari i parë që shtyn bashkëpunimin me Kukësin edhe për një vit. Sezonin që sapo lamë pas ai u aktivizua me blutë në 32 takime, me një total prej 2507 minutash në kampionat. Madje, arriti të lërë shenjën e tij edhe me një gol këtë sezon, pikërisht në fitoren 2 me 0 ndaj Tiranës në “Kukës Arena”.
ZHONGO – Duket se ekipi i Kukësit ka arritur akordin edhe me mbrojtësin që sezonin e fundit ishte pjesë e ekipit të Bylisit në Superiore, Vasil Zhongo. 23-vjeçari ka qenë më herët edhe pjesë e klubit të Trikallës dhe Janinës në kampionatin grek, si edhe Aleksandrisë në Serinë C në Itali. Kukësin e ka joshur mosha e tij e re, duke u përshtatur edhe me politikat e klubit të këtij sezoni, që do të përbëhet nga djemtë rinj. Palët thuajse kanë mbyllur çdo diskutim dhe pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes nga ana e klubit. Nga ana tjetër, sa i përket merkatos, duket se fokusi kryesor është gjetja e lojtarëve nga tregu kosovar dhe ai i Maqedonisë sëVeriut, pra futbollistë nga Rajoni. Por, nuk përjashtohen edhe ata nga Amerika Latine, më konkretisht Brazili. Thuajse çdo sezon Kukësi ka pasur lojtarë nga vendi i sambës. Gjithsesi, për momentin gjithçka është në kuadrin e zërave të merkatos, sepse në Kukës nuk ka ende asnjë zyrtarizim.