SPORT, 3 Shtator 2022, 16:50

Kolela: Euforia problemi i Partizanit, Bylisi ekip i organizuar mirë

Kolela: Euforia problemi i Partizanit, Bylisi ekip i organizuar mirë

Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, para ndeshjes me Bylisin në Ballsh, deklaroi se euforia mund të jetë  një problem për të kuqtë, pas dy fitoreve në dy javët e para të Superiores, duke grumbulluar gjashtë pikë të plota.

“Kemi patur pak ditë në dispozicion për të punuar. Por ajo që është më e rëndësishme është që skuadra ka përqendrimin e duhur dhe grintën që unë kërkoj. Mund të kishim edhe ndonjë pikë më pak, por nëse përqendrimi është i duhur, sërish do të isha i kënaqur. Duke parë që kemi grumbulluar gjashtë pikë, jam akoma edhe më i kënaqur.

Euforia është vërtetë një problem. Nuk është një skuadër eksperte, që të mund të menaxhojë situata të tilla të kampionatit, por do të mësojë.

Bylisi? Përballemi me një skuadër të vështirë, sidomos në ndeshjet që luan në shtëpi. I kam ndjekur dhe janë një ekipi i organizuar, kanë shumë grintë. E rëndësishme është që ne ta përballojmë këtë ndeshje gjithmonë në të njëjtën mënyrë si kemi bërë deri tani. E respektojmë kundërshtarin, por ne duhet të kemi përqendrim maksimal.

Merkato? E kam theksuar edhe më përpara që ne prisnim vetëm një mbrojtës qendre, ai erdhi dhe mendoj që skuadra është e kompletuar dhe të vazhdojmë përpara. Jemi të kënaqur me organikën e skuadrës dhe tashmë pres që të gjithë lojtarët të japin gjithmonë 100% e tyre”, tha Kolela.