TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Luiza Gega ka bërë një tjetër paraqitje shumë të mirë në arenën ndërkombëtare, këtë herë në eventin “Diamond League” të Brukselit. Atletja është klasifikuar e 7-ta mes 15 rivaleve në garën e 3000 metrave me pengesa, garë që u panë të konkurronin vrapueset më të mira të botës. Gega regjistroi kohën 9:14.41, rezultat që nuk është më i miri i saj personal, por që mbetet një kohë e kënaqshme për atletet tonë, dhe shumë e mirë për standardet europiane apo botërore.
Për t’u theksuar në këtë garë, është fakti se para Luizës janë klasifikuar vetëm sportiste nga Kenia dhe Etiopia, pasi asnjë europiane apo sportiste e ndonjë shteti tjetër nuk vrapon më shpejt se kampionia jonë. Për sa i përket garës, medalja e artë u fitua nga kenianja Jackline Chepkoech me kohën 9:02.43. Në vend të dytë u rendit një tjetër keniane, Mutile Winfred Yavi, e cila shënoi kohën 9:03.44, kjo e fundit atlete që përfaqëson Bahreinin. Ndërsa medalja e bronzit shkoi për etiopianen Werkuha Getachew, me kohën 9:08.03.
Kështu, Luiza Gega mbyll një sezon sfilitës, me gara të njëpasnjëshme, por që ka qenë absolutisht më i miri i karrierës për të dhe më i suksesshmi në të gjithë historinë e atletikës shqiptare. Gega, siç dihet, ka thyer rekord pas rekordi, ndërsa gjithçka kulmoi me medaljen e artë dhe rekordin e Kampionatit Europian disa javë më parë në Mynih.