SPORT, 16 Prill 2026, 14:06

Italiano ironizon para duelit të Ligës së Europës: Kërkova Tom Kruiz për përmbysjen ndaj Aston Vilës

Italiano ironizon para duelit të Ligës së Europës:

Trajneri i Bolonjës, Vinçenco Italiano, ka zgjedhur ironinë për të karikuar skuadrën e tij përpara sfidës së kthimit ndaj Aston Vilës në “Villa Park”, ku italianët kërkojnë një përmbysje historike pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë.

“Kam kërkuar nga klubi të thërrasë Tom Kruiz për ‘Misionin e Pamundur’, por nuk ishte e mundur…”, tha me humor tekniku, duke nënvizuar vështirësinë e sfidës. Megjithatë, Bolonja ka treguar formë të mirë në transfertë, me 7 fitore jashtë fushe gjatë vitit 2026.

Ndërkohë, Italiano ka një bilanc perfekt në përballjet me sistem vajtje-ardhje, duke kaluar ture si me Fiorentinën në të kaluarën, ashtu edhe këtë sezon me Bolonjën, ku eliminoi Romën në “Olimpico” me rezultatin spektakolar 3-4.

Italiano e ka të qartë se për të kaluar më tej nevojitet një ndeshje perfekte: “Më shumë se perfeksion, duhet t’ua komplikojmë jetën Aston Vilës. Nuk duam t’u japim një mbrëmje të qetë. Ata mund ta menaxhojnë avantazhin, por ne duhet t’i vëmë në vështirësi dhe t’i godasim sa herë të kemi mundësi.” Ai pranoi se gabimet në ndeshjen e parë ndikuan shumë: “E prishëm ndeshjen e parë me disa gabime. Tani duhet të bëjmë maksimumin dhe të mos i lëmë të qetë.”