TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bayern Munich ka prerë biletën për në gjysmëfinalen e Champions League, pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Real Madridit në “Allianz Arena”, në një ndeshje të mbushur me emocione, gola dhe kthesa të forta deri në minutën e fundit.
Sfida nisi me ritëm të lartë dhe me madrilenët që kaluan në avantazh që në sekondat e para. Arda Güler përfitoi nga një gabim i portierit dhe shënoi për 0-1, duke tronditur menjëherë vendasit.
Bayern reagoi shpejt dhe barazoi me Aleksandar Pavlović, i cili shënoi me kokë pas një krosimi të Joshua Kimmich (1-1). Megjithatë, Güler riktheu epërsinë për Real Madridin në minutën e 29-të me një goditje dënimi perfekte për 1-2.
Harry Kane vendosi sërish baraspeshën në minutën e 38-të (2-2), ndërsa pak minuta më vonë Kylian Mbappé finalizoi një aksion të bukur për 2-3, duke e mbyllur pjesën e parë në favor të madrilenëve.
Në pjesën e dytë, loja u ashpërsua ndjeshëm dhe tensioni u rrit. Real Madridi mbeti me 10 lojtarë në minutën e 86-të, pasi Eduardo Camavinga u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Bayern shfrytëzoi epërsinë numerike dhe barazoi në minutën e 89-të me Luis Díaz, i cili shënoi për 3-3 pas një aksioni të shpejtë në hyrje të zonës.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt shtesave, Michael Olise realizoi golin vendimtar për 4-3, duke kompletuar përmbysjen e madhe dhe duke siguruar kualifikimin e Bayern Munich.
Një ndeshje e jashtëzakonshme, me ritëm të lartë, gola spektakolarë dhe dramë deri në sekondat e fundit, që e çon Bayernin në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës.