SPORT, 15 Tetor 2022, 23:38

Grizmann kthehet titullar dhe i jep fitoren Atletikos së Madridit ndaj kundërshtarit të tij të preferuar

Grizmann kthehet titullar dhe i jep fitoren Atletikos së Madridit ndaj

Ndeshja e sotme mes Atletik Bilbaos dhe Atletiko Madrid ishte shumë e rëndësishme për të kuptuar se cila mes skuadrave do të jetë ajo që mund të rivalizojë me Realin dhe Barçën të cilët ndajnë vendin e parë në La Liga. Në fund ia ka dalë skuadra e Simeones, me shifrat 1-0 falë Grizman i cili tashmë është përsëri titullar fiks në radhët e ekipit.

Pas arritjes së marrëveshjes mes Atletikos dhe Barcelonës për transferimin përfundimtar të francezit te madrilenët, Simeone ka hedhur tutje rregullin e aktivizimit si zëvendësues të tij dhe lojtari ia shpërbleu duke shënuar golin e vetëm të një sfidë ku kishte shumë polemika dhe tension për shkak të një goli të anuluar të Moratës në fillim e një penalltie për vendasit në fund të ndeshjes.

Kështu, Grizman shënoi golin e tretë në këtë kampionat, aq sa kishte shënuar në të gjithë të kaluarin. Por sot ndoshta pritej, duke pasur parasysh se Atletik Bilbao është skuadra të cilës i ka shënuar më shumë në karrierë. I sotmi ishte goli i 13 që ai u shënonte baskëve.