SPORT, 20 Qershor 2024, 22:20

Spanja fiton ndaj Italisë, kalon në mesin e 16 më të mirave të EURO 2024

Spanja fiton ndaj Italisë, kalon në mesin e 16 më të mirave

Spanja është lider i Grupit B në Euro 2024, pasi mposhti Italinë 1-0 në rrethin e dytë të fazës së grupeve.

Ndeshjen më mirë e nisën spanjollët, duket rrezikuar me anë të Pedrit, që nuk ia doli të shënonte me kokë nga afërsia.

Spanja vazhdojë me dominim, duke marrë lojën nën kontroll, ndërsa italianët nuk kishin shumë nga loja me top.

Në minutën e 24-të, Alvaro Morata detyroi Gianluigi Donnarumman të bënte një intervenim brilant.

Fabian Ruiz (41′) testoi bashkëlojtarin e tij te PSG, por që gardiani italian ishte shumë i vëmendshëm.

Në 45 minutat e parë u pa një lojë shumë fizike, sidomos nga Azzurët, që bënin ndërhyrje të ashpra.

Edhe pjesa e dytë u dominua nga Spanja, që me shumë mund edhe ia doli të realizonte golin e epërsisë.

Në fakt, më mirë të thuhet se ishte një auto-gol, pasi Riccardo Calafiori e futi topin në rrjetën e tij në minutën e 55-të.

Italianët tentuan që së paku të barazonin shifrat, mirëpo spanjollët ishin shumë të vëmendshëm në mbrojtje.

Spanja ka tani gjashtë pikë, Italia me tri, Shqipëria dhe Kroacia me nga një. Në rrethin e fundit të fazës së grupeve, Kuqezinjtë takohen me spanjollët, ndërsa kroatët me Azzurët.