TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria e basketbollit të meshkujve ka regjistruar humbjen e dytë në grup në sfidat e raundit të tretë të vlefshme për paraelminatortet e Kampionatit Europian 2025. Kuqezinjtë e drejtuar tashmë nga trajneri grek Antonios Dukas, janë mundur dje në transfertë nga Sllovakia me rezultatin 86-63. Kombëtarja jonë mundi t’i përgjigjej nivelit të kundërshtarit deri në gjysmën e periodës së dytë, pasi me tej takimi u dominua nga sllovakët, të cilët siguruan triumfin për të marrë edhe kreun e klasifikimit në Grupin I, me dy fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara. Ndërkohë Shqipëria pozicionohet në vend të fundit me dy humbje.
NDESHJA – Trajneri Dukas e startoi takimin me katër nga pesë titullarët e ndeshjes së para disa ditëve kundër Rumanisë, me Lekndreajn, Hamatin, Dushën dhe Hysenagollin, ndërsa Frenki Lilaj mori vendin e Thanos, duke plotësuar formacionin. Sfida nisi me 4 pikët e para të sllovakëve, ndërsa koshi i parë kuqezi erdhi nga gjuajtje e lirë e Lekndreajt. Perioda e parë vijoi me rivalitet, ndërsa u mbyll me avantazhin e vendësve 30-27. Edhe në çerekun i dytë Shqipëria ishte fillimisht konkurruese, duke luajtur si e barabartë me kundërshtarin, por kjo situatë zgjati deri në gjysmën e periodës, pasi më tej Sllovakia nisi të dominojë, për ta fituar këtë fraksion 16-10, duke shkuar në pushim me avantazhin e përgjithshëm 46-37.
Kuqezinjtë “harrojnë” të futen në parket për periodën e tretë, teksa për të shënuar koshin e parë u duhen më shumë se 7 minuta lojë. Një periodë që mbyllet me rezultat katastrofik, 19-3 në favor të vendësve, të cilët kryesojnë 65-40 pas 30 minutash lojë. Perioda e fundit luhet sa për statistikë, ndërsa Kombëtarja jonë e korrigjon shënjestrën, për të fituar këtë fraksion 21-23, por në shifra të përgjithshme suksesi i sllovakë është i salduar me +23 pikë avantazh. Vladimir Brodziansky i sllovakëve dhe Elvisi Dusha i Shqipërisë ishin dy pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes, me 19 secili. Për kuqezinjtë dopioshifër pikësh shënuan dhe Daniel Lekndreaj (13) si dhe Endrit Hysenagolli (10). Të shtunën më 29 korrik Shqipërinë e pret një tjetër transfertë, këtë herë në “Pitesti Arena” kundër Rumanisë, për ta mbyllur më pas fushatën e paraeliminatoreve më 5 gusht në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” kundër Sllovakisë.
SLLOVAKI – SHQIPËRI 86-63
SLLOVAKIA: Majercak (14), Krajcovic (9), Fusek (3), Brodziansky (19), Volarik (2)/ Pavelka (13), Szabo (2), Mokran (17), Dolezaj (7), Hlivak, Bolek.
Trajner: Aramis Naglic
SHQIPËRIA: Hamati (2), Dusha (19), Lekndreaj (13), Hysenagolli (10), F.Lilaj (7)/ Tola (6), R.Lilaj, Grazhdani, Hysa (2), Nikoçi (4).
Trajner: Antonios Dukas
GJYQTARË: Z.Yilmaz, C.Mavisu (Turqi), G.Gedvilas (Lituani)
KOMISIONER: Ivan Bodrogvari (Hungari).
