SPORT, 26 Korrik 2023, 20:35

Arabët, 20 miliardë euro për të pushtuar botën. Pas Mbape e kanë radhën shumë yje të tjerë

Arabët, 20 miliardë euro për të pushtuar botën. Pas

Kilië Mbape është vetëm një nga disa yje të profilit të lartë që mund t’i bashkohet kampionatit të Arabisë Saudite si pjesë e planit të tyre shtatëvjeçar. Një numër lojtarësh europianë janë transferuar në Arabinë Saudite këtë verë. Shumë të tjerë janë përfolur për një kalim, duke përfshirë Mbapenë, ndërsa shpenzimet rekord të këtij vendi në futboll pritet që të thellohen edhe më tej.

Ministria e Sportit e Arabisë Saudite do të sigurojë 17 miliardë paund (20 mld euro) për transferimet e kampionatit të futbollit nga ky vit deri në 2030, sipas gazetarit të televizionit “CBS”, Ben Xhakobs. Mbape është prioriteti numër një me PSG-në që ka pranuar një ofertë prej 259 milionë paundësh për francezin nga Al-Hilali. 18 herë kampionët e Arabisë Saudite i kanë ofruar gjithashtu superyllit një marrëveshje të çmendur me rrogë 600 milionë paund në vit, e cila do ta bënte atë sportistin më të paguar të të gjitha kohërave.

Dhe shpenzimet nuk do të ndalen me kaq, me Xhakobsin, i cili raporton se Nejmari dhe Luka Modriç kanë qenë gjithashtu në shënjestër të klubeve nga Lindja e Mesme këtë verë. Nejmari mund të fitonte deri në 172 milionë paund në vit nëse do të pranonte, me Al-Hilalin që përflitet se po planifikonte një ofertë prej 38 milionë paundësh për kartonin e brazilianit. Al-Hilali synoi gjithashtu Modriçin në një marrëveshje prej 170 milionë sterlinash dhe ata mund të bëjnë një lëvizje ambicioze edhe për Robert Levandovskin vitin e ardhshëm.

Sulmuesi i Barcelonës zbuloi se nuk po mendon të transferohet në Arabinë Saudite këtë verë, duke iu bashkuar Son Heung-minit, Romelu Lukakut dhe Xhemi Vardisë në të njëjtin qëndrim. Megjithatë, disa emra të mëdhenj janë në prag të transferimit në Arabi, duke përfshirë yllin e Mançester Sitit, Rijad Mahrez, i cili do të përfundojë një transferim prej 30 milionë paundësh tek Al-Ahli, pasi ra dakord për një kontratë që do ta paguajë me 500.000 paund në javë.

Shoku i tij i skuadrës, Bernardo Silva, është gjithashtu i shënjestruar nga Al-Hilali dhe mund të fitojë 41 milionë paund në vit në Arabinë Saudite. Portugezi mund të ndjekë gjurmët e lojtarëve të shumtë të Premier Ligës që kanë vendosur të kalojnë në Lindjen e Mesme. Yjet e Çelsit, Eduard Mendi dhe Kalidu Kulibali, u janë bashkuar respektivisht Al-Ahlit dhe Al-Hilalit, ndërsa bashkëlojtari i tyre, Tiago Silva, ka tërhequr gjithashtu interes nga Liga Saudite.

Ish-mbrojtësi i Junajtidit, Aleks Tejesh, konfirmoi kalimin e tij prej 4 milionë paundësh tek Al-Nasri javën e kaluar, ku do t’i bashkohet Kristiano Ronaldos. Ndërsa Karim Benzema është një nga lojtarët e mëdhenj që firmosi një kontratë 342 milionë paundëshe me Al-Itihad.