SPORT, 27 Korrik 2023, 08:54

Stamboll, Tirana kërkon mrekullinë në stadiumin e “ferrit”

Stamboll, Tirana kërkon mrekullinë në stadiumin e

Tirana do të kërkojë mrekullinë në Ligën e Konferencës dhe këtë do ta bëjë sonte ndaj gjigandëve të futbollit turk, Beshiktashit. Skuadra bardheblu luan në “Vodafone Park” ndeshjen e parë në turin e dytë të Ligës së Konferencës, teksa një javë më vonë do të luhet edhe ndeshja e kthimit.

Do të luhet kundër 40 mijë tifozëve në një stadium që është “ferr” i vërtetë edhe për klube të mëdha europiane. Kjo e Tiranës kundër Beshiktashit sot në mbrëmje duket si një mision i pamundur, por në futboll ka edhe surpriza.

Fundja Tirana nuk ka asgjë për të humbur ndaj një kundërshtari që e ka buxhetin 18 herë më të lartë(duke llogaritur vetëm shpenzimet për rrogat), një skuadër e investuar për të shkuar larg në Europë dhe për të sfiduar ekipe si Fenerbahçe dhe Gallatasaraji për titull, natyrisht që konsiderohet favorite absolute. Edhe nëse u hedh një vështrim koeficientëve të basteve, duket qartë diferenca.

E megjithatë, asnjë nuk hyn si i humbur në një ndeshje. I gjithë presioni për të fituar dhe për t’u kualifikuar është mbi turqit.

Por në ndeshje si kjo nuk ia del dot kurrë me frikë. Ia del vetëm me hyxhym… Jo në kuptimin që të shkohet në aventurë dhe të sulmohet pa kriter Beshiktashi, por me vetëbesim, me ftohtësi dhe duke tentuar herë pas here t’i godasësh aty ku u dhemb gjigantëve që kanë përballë.