SPORT, 29 Prill 2023, 20:08

Dy gola në sekondat e fundit të derbit, por nuk ka fitues mes Romës dhe Milanit në Olimpico

Dy gola në sekondat e fundit të derbit, por nuk ka fitues mes

Roma dhe Milani kanë barazuar 1-1 në Olimpico, në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 32-të në Serie A.

Ndeshjen më mirë e nisën Giallorossët, që kishin iniciativën, mirëpo u mungoi efikasiteti.

Por, pas 15 minutash lojë, Marash Kumbulla pësoi lëndim dhe Jose Mourinho u detyrua ta zëvendësonte lojtarin shqiptar me Edoardo Bove.

Rastin e parë serioz e pati Lorenzo Pellegrini në minutën e 34-të, por goditja e tij u bllokua një bashkëlojtar i tij.

Milani më pas filloi të këndellje, ndërsa portat vazhduan të mbeteshin të paprekura pa ndonjë pritje të madhe nga të dy portierët.

Rossonerët i filluan më mirë 45 minutat e dytë, derisa rrezikuan nëpërmjet Alexis Saelemaekers (60’), por goditja e tij shkoi mbi portë.

Në një stadium të stërmbushur me afro 65 mijë tifozë, duhej të kishte gol dhe befasisht u shënuan dy në sekondat e fundit të ndeshjes.

Zaki Celik asistoi te Tammy Abraham në minutën e 90+4-të, duke shpërthyer kështu festa në Olimpico.

Mirëpo, Milani i barazoi shifrat në 1-1 me golin e Saelemaekers (90+5′), duke bërë që në fund të ndaheshin pikët.

Pas javës së 32-të, Milani vazhdon të jetë në vendin e katër me 57 pikë, po aq sa ka edhe Roma në të pestin.