SPORT, 18 Shtator 2025, 18:04

Drama e penalltisë te Dortmundi, Kovaç sqaron polemikën mes Guirasit e Bensebainit

Drama e penalltisë te Dortmundi, Kovaç sqaron polemikën mes

Në fund, ishte thjesht një nga shumë historitë e shkruara rreth ndeshjes spektakolare mes Juventusit të Torinos dhe Borusia Dortmundit: Kush do ta gjuante penalltinë që e çoi rezultatin në 4-2? Niko Kovaç e sqaroi çështjen pas ndeshjes. Emocionet ishin të mëdha që para fillimit të takimit. Gola spektakolarë dhe një lojë e fortë me kthesa të vazhdueshme e shndërruan stadiumin në një kazan të vërtetë emocionesh. Tensioni ishte i lartë edhe në fushë – përfshirë edhe para golit që e bëri 4-2 për Dortmundin.

Mbrojtësi i Juves, Loid Keli, u hodh për të bllokuar një gjuajtje të sulmuesit, Serou Guirasi, por topi goditi në krahun e tij. Arbitri tregoi menjëherë pikën e bardhë, por vendimi u rishikua nga VAR – dhe ndërkohë që kontrolli ishte në zhvillim, shpërtheu një debat te pika e penalltisë. Guirasi kapi topin dhe refuzoi ta kthente, ndërsa bashkëlojtarët e tij Karim Adejemi, Julian Brandt dhe Rami Bensebaini, në disa momente edhe me forcë, polemizuan me të.

“E kuptoj që Serou donte të shënonte, pasi kishte mundësinë,” shpjegoi më pas trajneri, Niko Kovaç. Megjithatë, ai nuk ishte i caktuar si gjuajtësi i parë. “Ishte e përcaktuar qartë,” tha Kovaç. Ishte e përcaktuar qartë që Bensebaini, dhe jo Guirasi, të ishte numri një. Mesa duket, renditja e gjuajtësve te BVB ka ndryshuar pas penalltisë së humbur nga Guirasi në barazimin 3-3 në Bundesligë kundër St. Pauli. Edhe atëherë Bensebaini ishte në fushë. Tani Kovaç e ka zgjedhur atë si ekzekutor të parë – me arsye të forta: nga njëmbëdhjetë penalltitë që Bensebaini ka goditur në karrierë nuk ka humbur asnjë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Torino. Me një ecje të vonuar dhe të zgjuar drejt topit, Bensebaini e bëri 4-2. Debati për penalltinë nuk do të ketë pasoja për Guirasi, siç konfirmoi Kovaç. “Ai është një djalë fantastik dhe një lojtar i vërtetë skuadre, kështu që gjithçka është në rregull,” tha trajneri i BVB-së për sulmuesin e tij qendror. “Nuk do ta bëjmë malin nga një kodrinë.” Sidomos pasi sulmuesi nga Guinea festoi menjëherë me bashkëlojtarët pas golit të Bensebainit.