SPORT, 17 Shkurt 2024, 20:58

Dopio Levandovski, një penallti e përsëritur në minutën e 97-të nderon Barcelonën

Dopio Levandovski, një penallti e përsëritur në minutën

Triumf dramatik për Barcelonën në duelin ndaj Selta Vigos në transfertë. Katalanasit iu falën një penalltia të Levandovskit në minutën e 90+7 duke triumfuar me rezultatin 1-2. Një sukses mjaft i vuajtur ky për ekipin e Ksavit. 

Barcelona kaloi e para në avantazh me anë të sulmuesit polak në minutën e 45-të, që pas asistit të Jamal, Levandovski tundi rrjetën. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1. 

Në fragmentin e dytë të lojës ishin vendasit që gjetën rrugën e rrjetës, më konkretisht në minutën e 47-të me anë të Iago Aspas.  

Pavarësisht përpjekjeve të shumte, katalanasit duhet të prisnin minutën e 97-të për të gjetur golin e fitores. Ishte sërish Levandovski që tundi rrjetën, kësaj here nga pika e bardhe e penallti. Fillimisht polaku gaboi në gjuajtjen e parë, me tentativën që u ndal nga Guaita, por penalltia u përsërit për shkak se portieri kishte lëvizur duke e kaluar vijën. Në tentativën e dytë, Levandovski u tregua i saktë duke shënuar.  

Kjo ishte fitorja e 16-të në 25 javë për Barcelonën që u ngjit në kuotën e 54 pikëve, 2 më pak se Girona e vendit të dytë.