SPORT, 11 Tetor 2023, 20:30

Detaji interesant/ Vetëm kritika, kroati Zekiç nuk u kënaq kurrë me ekipin

Detaji interesant/ Vetëm kritika, kroati Zekiç nuk u kënaq

Zoran Zekiç qëndroi në krye të Partizanit për rreth katër muaj, ku e drejtoi skuadrën në 14 ndeshje, çka përbën periudhën e tij më të shkurtër në drejtimin e një ekipi profesionist.

Ai regjistroi gjithsej 7 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje. Por pavarësisht shifrave relativisht pozitive, është fakt që kroati nuk u kënaq kurrë me skuadrën që kishte në dispozicion, edhe pse një pjesë e merkatos u bë sipas kërkesave të tij.

Trajneri kroat erdhi në krye të skuadrës me të bërtitura në stërvitje, për të vazhduar me kritika të vazhdueshme publike pas ndeshjeve për ekipin, edhe në rastet kur fitonte. Kjo ndodhi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, kur tonet u bënë më të ashpra. Nuk përjashtohet mundësia që kjo pakënaqësi ndaj lojtarëve dhe faktit që ai nuk po e bënte dot ndryshimin, të jetë një nga arsyet që e shtynë të largohej.