SPORT, 11 Gusht 2023, 11:14

Bizneset private pushtojnë pallatin e sportit “Asllan Rusi”, tani edhe dyqan fruta-perimesh

Bizneset private pushtojnë pallatin e sportit “Asllan Rusi”,

Pallati i sportit “Asllan Rusi”, vendi ku është shkruar historia e sportit shqiptar në lojërat me dorë dhe jo vetëm, siç dihet pas viteve ’90 nisi epokën e degradimit. Një degradim që vijon edhe në ditët e sotme, deri në pritje të finalizimit të projektit të ri, të miratuar tashmë, që parashikon rindërtimin. Por deri në nisjen e punimeve për ndërtimin e pallatit të ri, terreni që mban edhe emrin e një prej legjendave më të mëdha të sportit shqiptar vijon të përdhoset çdo ditë.

Me amortizimin e ambienteve të brendshme, salla prej vitesh nuk mund të presë më ndeshje ndërkombëtare. Megjithatë, përtej kushteve skandaloze, ky pallat mbetet edhe sot një prej impianteve kryesore për takimet në arenën kombëtare si dhe për stërvitjet e ekipeve, duke nisur që nga moshat e deri te të rriturit, edhe pse për vite me radhë po shfrytëzohet në mënyrë barbare për përfitime nga bizneset. Kohë më parë, siç dihet, aty u vendos edhe terminali i autobusëve, me pjesën e pasme të godinës që u pushtua nga agjencitë e udhëtimeve. Madje, babëzia shkoi deri aty sa u bllokua edhe dalja e emergjencës së sallës, për tu kthyer në një tjetër biznes privat, rast i denoncuar kohë më parë nga “Panorama Sport”.

Me uzurpimin e pjesës së pasme të godinës, më pas nisi shfrytëzimi për biznese private edhe i pjesës së përparme. Kështu hyrja e pallatit të sportit, fillimisht u kthye në një “fast food”, për tu shndërruar gjatë ditëve të fundit në një dyqan fruta-perimesh. Tezgat tashmë janë montuar, siç shihet edhe në fotot e siguruara nga gazeta, teksa ambienti i ndërtuar në shërbim të sportit, vijon që të milet deri në gramat e fundit.

Bizneset private pushtojnë pallatin e sportit “Asllan Rusi”,

Bizneset private pushtojnë pallatin e sportit “Asllan Rusi”,