SPORT, 2 Janar 2022, 20:56

Atletiko e Madridit “hedh pas krahëve” hallet e 2021-shit, mposht Balliun me shokë

Atletiko e Madridit  “hedh pas krahëve” hallet e 2021-shit,

Atletiko e Madridit e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2022, teksa ka fituar në shtëpi me rezultatin e pastër 2-0, ndaj Rajo Vallekanos, pjesë e të cilës për 90-minuta të plota ishte edhe lojtari i kombëtares së Shqipërisë, Ivan Balliu.

Sakaq, vlen për t’u theksuar se "Los Colchoneros" ishin në një krizë rezultatesh duke qenë se vinin pas tre humbjeve radhazi, megjithatë falë dygolëshit të Korreas, tashmë të besuarit e trajnerit Diego Simeone ngjiten në vendin e katërt të klasifikimit me 32 pikë.

Ndërkohë, në klasifikim lënë pas pikërisht Rajo Vallekanon, të cilët zbresin në vendin e pestë me 30 pikë.

Nga ana tjetër, Elçe nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në shtëpi ndaj Granadës. Pas kësaj sfide, vendasit mbeten në vendin e 17 me 16 pikë, ndërsa Granada renditet në vendin e 12 me 23 pikë.