SPORT, 26 Mars 2022, 14:32

ANALIZA/ Jashtë Botërorit, ja pse Italia preku fundin

ANALIZA/ Jashtë Botërorit, ja pse Italia preku fundin

Nëse triumfi në Europianin e kaluar ishte fryt i një kombinimi të papërsëritshëm yjor, edhe dështimi ndaj Maqedonisë së Veriu erdhi si fryt i disa gabimeve totalisht të shmangshme. Mund ta quajmë edhe ters, por sporti kombëtar nuk mund t’i besohet gjithmonë rastësisë.

Jo për gjë, por fati herët a vonë të kthen edhe shpinën. Me mungesën e dytë radhazi në një Botëror, futbolli italian preku nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. E të mendosh që katër vite më parë u cilësua si tragjedi ai eliminim nga Suedia. Ndaj maqedonasve punëtorë ishte edhe më keq se humbje me dy Koretë (e Veriut në 1966 dhe e Jugut në 2002- shin). Një Itali kaq belbëzuese nuk ishte parë as në Botërorin e Afrikës së Jugut e as në atë të Brazilit.

Pikiatës kombëtare i bashkohen edhe eliminimet e bujshme të italianeve në Ligën e Kampioneve. Nëse Milani kishte justifikimin e një grupi ferri e Interi të një rivali që synon trofeun, mbetet mister se si Juventusi u mor me shuplaka nga një formacion që mezi është në vendin e shtatë të kampionatit spanjoll. Shkaqet janë të shumta, por nëse i analizojmë në brendësi superfuqitë italiane, kupton se ato mund t’i ofrojnë pak kauzës “axurre”.

Milani ka një dyshe sulmuesish që është 80-vjeçare, ndërkohë që Interi, kampion Italie në fuqi, me formacionin që ka, mezi do të lundronte mes tetë të parave në një kampionat si ai anglez. Këto skuadra kanë në formacionet e tyre 2 ose 3 lojtarë italianë, ndërsa ndaj Maqedonisë së Veriut, sulmi “axurr” përbëhej nga 2/3-at e atij të Sasuolos që në Serinë A mban vendin e dhjetë. Nëse talentin nuk ua vëmë dot në diskutim, pa dyshim që përvoja ndërkombëtare e Berardit dhe Raspadorit është e mjerueshme. Ndoshta Roberto Mançini, pas fitores hyjnore të Europianit kundër Anglisë e ka humbur përqendrimin dhe ka nisur t’i pëlqejë vetja.

Sidoqoftë, dështimet nuk kanë kurrë një fajtor të vetëm dhe kjo mungesë në Botëror duhet të shkundë drejtuesit e futbollit italian. Që nga klubet e niveleve të ulëta e deri të Juvja e Interi apo Milani. Lojtarët po mbyten në taktikë dhe kanë harruar të vrapojnë, ndërkohë që paguhen me rroga shumë më të mëdha sesa rendimenti i tyre. Për të mos folur për menaxherët që në Itali janë kthyer në zota.

Parabola e Donarumës është, për fatin e keq të Italisë, shembulli më konkret. Kërkoi paratë duke u përhumbur në telashe. Ka ardhur momenti që duke filluar nga fidanishtet, gadishulli italian të kridhet në një katarsis. Që të mos humbet një tjetër Botëror apo që Suedia e Maqedonia, me gjithë respektin, të mos kthehen në xhelatë të një kombëtareje që krenohet me 4 Kupa Bote. Siç thoshte Borgesi i madh: “Sa herë një fëmijë godet me këmbë diçka në rrugë, nis një histori futbolli”.