AKTUALITET, 30 Nëntor 2020, 13:09

Spitalet Covid kthehen në "ferr", pesë vetëvrasje në pak muaj. Rama analizon vetëvrasjet në Itali dhe Gjermani

Spitalet Covid kthehen në "ferr", pesë vetëvrasje


Një 60 vjeçar i dha fund jetës pak pas mesnate në Spitalin Shefqet Ndroqi, duke u hedhur nga lartësia. Leonard Skabona nga qyteti i Laçit, qëndronte në spital prej ditësh, për shak të infektimit me koronavirus dhe gjendja shëndetësore, ishte përkeqësuar.

Ky është rasti i pestë i vetëvrasjeve në spitalet Covid në Shqipëri dhe ekspozon një problem jashtëzakonisht të madh, të cilin autoritetet me sa duket, nuk dinë dhe nuk mundet ta trajtojnë.

Së pari, ky fenomen, që deri tani ka sjellë vdekjen e pesë qytetarëve, ngre pikëpyetje sa i përket mënyrës se si trajtohen pacientët në spitale, çfarë ata përjetojnë, mungesën e trajtimit nga ana psikologjike, por tregon edhe për elementët e sigurisë në spitale, që thuajse nuk ekzistojnë.

Pak javë më parë, 69 vjeçari Reshit Grembi, nga Fieri i dha fund jetës, duke u hedhur nga Spitali Infektiv. Familjarët denoncuan se ai ishte neglizhuar dhe se nuk i kishin dhënë mjekim, duke qëndruar me orë të zgjatur në autoambulancë.

Ja çfarë ka dëshmuar vajza e tij në një emision televiziv:

"Po ishim të hënën në 1 të darkës tek Infektivi, qëndruam në autoambulancë. Qëndruam deri në 8 e gjysmë të mëngjesin në autoambulancë. Pastaj ma marrin babin, e putha. E shoh babin pastaj e shtrinë atje në korridor, njëra nga ato më bërtet, më nxjerr jashtë. E marr në telefon nga dreka, më thotë po vdes nuk kam marrë asnjë lloj mjekimi, nuk e di si e kam mbajtur veten, nuk e di si po flas. Kur e marr në 6 të darkës e kishin futur në oksigjen. Unë e pashë që gjendja e tij ishte më e mirë, e përmirësuar. Kishte folur edhe me mamin i kishte thënë ‘hënga dhe supë zoti ndoshta do bëjë ndonjë mrekulli’. Më merr doktoresha dhe më tha është pak më mirë, por është kritike. E marr të martën në 7 të mëngjesit, më tha nuk po marr dot frymë, po vdes", ka deklaruar vajza e Grembit, për emisionin "Me zemër të hapur".

Një tjetër rast i bujshëm, është ai i të riut Xhino Koça, një 29 vjeçar që u vetëvra duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit Shefqet Ndroqi. Nëna e tij ka shpjeguar publikisht momentet e fundit të të birit, duke hedhur edhe akuza se ka patur mjekë që nuk e kanë bërë detyrën si duhet.

"Përtej çdo pasurie e pushteti, nuk është asnjë imun ndaj vdekjes dhe ndaj tragjedive të tilla të papritura. Mbështes fuqishëm një armatë të tërë mjekësh, që punojnë në kushte jo të mira, do të luftoj krahë tyre për mjekësinë që mbron jetë. Do të luftoj ndaj mjekëve qoftë me titullin profesor, që nuk e bëjnë detyrën si duhet. Unë nuk jam kundra mjekësisë, jam për të bërë thirrje, Xhinon nuk ma kthen njeri, por të vlejnë këto raste, për të mos i ndodhur askujt”, deklaronte nëna e 29 vjeçarit në emisionin Open.

Në shtator të këtij viti, u vetëvra shtetati Hasan Mira, 65 vjeç, duke u hedhur nga dritarja e katit të tretë në Spitalit Shefqet Ndroqi. Mira ishte vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani.

Infermierët konfirmuan se ata e kanë mbyllur dritaren, para se të largohen nga dhoma e pacientit, por fakti se për të sëmurët është fare e thjesht të kryejnë vetëvrasje, sugjeron se nuk ka elemente sigurie të shtuara, për ta pamundësuar këtë akt ekstrem.

Preng Gjonaj, 52 vjeç me origjinë nga Tropoja, është një tjetër qytetar, që u vetëhodh nga Spitali Covid2, ku merrte trajtim për shkak se Covid-19 i kishte shkaktuar pneumoni të rëndë. Sipas autoriteteve të spitalit, ai ka marrë trajtimin e duhur, por nuk shpjegohej çfarë e çoi drejt vetëvrasjes.

Kryeministri Edi Rama, është pyetur nga mediat lidhur me këtë fenomen shqetësues që shërbimi shëndetësor në Shqipëri, nuk po i jep zgjidhje, por në vend të flasë për masat që do të merren për të parandaluar ngjarje të tilla, Rama, duke marrë rolin e një intelektuali të lirë, apo statisticieni, ka shpjeguar se si njerëzit vrasin veten në Itali dhe Gjermani.

"Një nga pasojat e futjes së këtij armiku në trupin e njeriut, është edhe nxitja për të vrarë veten. Në Itali, janë vetëvrarë 71 persona nga marsi në gusht dhe një numër i konsiderueshëm tentativash për vetëvrasje në Francë është rritur numri i vetëvrasjeve që lidhen me Covid, kreu i klubit të futbollit të remsit. Katër persona në Gjermani kanë kryer vetëvrasje, në Britani ka pasur vetëvrasje të personelit shëndetësor , një 37-vjeçar në spital në Mbretërinë e Bashkuar tentoi vetëvrasjen në ditën e pestë, 3 mjekë rusë janë vetëvrarë duke u hedhur nga dritaret e spitalit, pas stresit emocional që paralajmërohet nga ekspertë të shëndetit në këtë situatë. 4 të vetëvrarë në spitalin e Ukrainës janë hedhur nga spitali i Kievit. Qeveria e Shqipërisë i nxit këto vetëvrasje në botë?".

Në fakt, kryeministri për të gjitha aspektetet e pandemisë, sa herë pyetet nga gazetarët për problematikat e sistemit shëndetësor, nis t'i referohet vendeve të tjera dhe analizon thellë problemet e Italisë dhe Gjermanisë, duke mos dhënë shpjegime për problemet e Shqipërisë, vendit që për momentin ai vijon të qeverisë.

/TPZ.al/