AKTUALITET, 30 Nëntor 2020, 10:29

Rriten rastet me koronavirus në Berat, infektohen mësues, edukatore, mjekë dhe zyrtarë

Rriten rastet me koronavirus në Berat, infektohen mësues, edukatore,

Covid-19, java nis me shifra në rritje në Berat. Të prekur mësues, edukatore, mjekë dhe punonjës institucionesh.

Shifrat e të prekurve me Covid-19 në Berat edhe këtë fillim jave kanë njohur rritje të lartë, ku mes të infektuarve regjistrohen mësues, edukatore, mjekë dhe punonjës institucionesh.

Në Spitalin Rajonal të Beratit janë konfirmuar pozitivë një oksigjenist dhe një infermier i Repartit të Infektivit.

Infektimet kanë vijuar edhe në Qendrat Shëndetësore, ku janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi 1 infermier në Qendrën Shëndetësore në fshatin Cukalat dhe dy infermiere në Qendrën Shëndetësore në Urë-Vajgurore, raporton “News 24”.

Mes të infektuarve të sotëm regjistrohen sërish edhe mësues e edukatore. Konfirmohen të infektuara me Covid-19 një mësuese në shkollën 9-vjeçare në fshatin Syzezë, një edukatore në kopshtin “Barrikadë” dhe një tjetër sanitare në kopshtin “Çlirim 1”.

Infektime ka pasur edhe në shumë institucione vendore në qarkun e Beratit, ku rezultojnë të prekur një punonjës administrate në bashkinë Berat, një specialist në Drejtorinë e Transportit në Berat, një operator shërbimi, një shitëse dyqani ushqimor dhe dy punonjëse fasonerie.