TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
35 vjet pas eksodit të anijes “Vlora”, një delegacion i “Global Sumud Flotilla” është nisur nga Brindizi drejt Vlorës për të mbështetur protestën e njohur si “Revolucioni i Flamingove”.
Në delegacion marrin pjesë aktivistë italianë, ambientalistë, gazetarë dhe pasardhës të emigrantëve shqiptarë të vitit 1991, të cilët pritet të mbërrijnë në Vlorë më 21 gusht.
Në mbrëmje, në orën 19:00, do t’i bashkohen protestës së Flamingove. Më 22 gusht, rrugëtimi do të vijojë me takime me komunitetet e zonës Vjosë-Nartë dhe me protestën e Flamingove në Tiranë.
NJOFTIM PËR SHTYP
Bijtë e anijes “Vlora” rikthehen në atdhe
Tridhjetë e pesë vjet pasi anija “Vlora” kaloi Adriatikun me mbi 20 mijë shqiptarë në bord, një delegacion i “Global Sumud Flotilla” niset më 20 gusht nga porti i Brindizit drejt Vlorës, kësaj here në drejtim të kundërt, për t’iu bashkuar, në shenjë solidariteti, Revolucionit të Flamingove.
Delegacioni, që përbëhet nga aktivistë italianë, ekspertë të mjedisit, gazetarë dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare, mes tyre edhe fëmijët dhe pasardhësit e atyre që u nisën nga Vlora në gusht të vitit 1991 në kërkim të një jete më të mirë, do të mbërrijë me tre anijet e veta në Vlorë më datë 21 gusht.
Qëllimi i këtij udhëtimi është mbështetja e protestës që prej më shumë se 80 ditësh mbron pasuritë kombëtare dhe natyrore të Shqipërisë, një mobilizim që sot njihet në gjithë botën si Revolucioni i Flamingove.
Një kthim simbolik i diasporës
Ftesa u bë publike më 8 gusht, jo rastësisht: kjo datë përkon me ditën kur në vitin 1991 mbi 20 mijë njerëz u nisën nga Vlora në kërkim të azilit politik dhe mbërritën me anije në portin e Brindizit. Shtegu është i njëjti, por këtë herë drejtimi është i kundërt.
Gushti i vitit ’91 shënon fillimin e periudhës së vështirë të largimeve masive të popullatës nga Shqipëria dhe fillimin e tranzicionit politik. Ky rrugëtim, i shoqëruar nga pasardhësit e atyre që udhëtuan për në Itali 35 vite më parë, bëhet për të shënuar simbolikisht kthimin e popullit në vendin e vet dhe për t’i dhënë fund tranzicionit përmes zgjimit të popullit shqiptar në revolucionin që po zhvillohet.