AKTUALITET, 4 Janar 2020, 20:23

Sormani shpall objektivat me Partizanin: Titull kampion dhe paraqitje dinjitoze në Europë

Sormani shpall objektivat me Partizanin: Titull kampion dhe paraqitje dinjitoze

Adolfo Sormani është prezantuar zyrtarisht si trajneri i Partizanit dhe ditën e sotme ka zhvilluar stërvitjen e parë me të kuqtë. Trajneri italian që është rikthyer te kampionët e vendit, ka folur sot për mediat aty ku ka zbuluar objektivin e Partizanit si edhe u ndal te merkatoja, e shkuara dhe ambienti i të kuqve të cilin ai e njeh shumë mirë.

“Objektivi? Objektivi është që të dalim kampion. Nuk mund të fshihemi. Objektivi është ta marrësh sërish titullin, por ka edhe një synim tjetër që të ngjitesh në nivele europiane, në mënyrë që klubi të ketë prestigjin në nivel kontinental. Kjo, duke luajtur një futboll sa më shumë dinamik, agresiv, një futboll që të na bëjë konkurrues edhe në nivele të tilla.

Ambienti? Është e qartë që kur nis punën në mes të një sezoni, ky nuk është maksimumi, nuk është situata ideale, sidomos kur kërkon të luash një futboll të organizuar dhe me ide të qarta. Gjithsesi, e vërteta është që unë njoh shumë nga lojtarët që janë këtu.

Skuadra? Ata e dinë se çfarë do të presin nga unë dhe unë e di se ç’mund të pres prej tyre. Njoh mentalitetin, ndaj besoj se e kam një avantazh sepse njoh edhe ambientin e Partizanit, nuk jam një i huaj. Kam pasur mundësi të punoj dhe të krijoj raporte shumë të mira me të gjithë.

Aventura e parë? Nuk është e vërtetë që nuk përfundoi mirë. Mendoj se pas ndeshjeve në Europë, u krijua ideja nga të dyja palët se nuk ishin kushtet e duhura për të vazhduar, por besoj se e pata vlerësimin, sidomos të presidentit, dhe dëshirën për të ndërtuar një projekt të madh.

Jo vetëm për të dalë kampion në Shqipëri, ndonëse është diçka shumë e rëndësishme, por edhe që të bëhemi një klub qendror, tërheqës në të gjithë Ballkanin, për akademinë, për sektorin e të rinjve. Një projekt që nuk e kanë të gjithë presidentët. Vetë fakti që presidenti po përfundon qendrën sportive tregon sesa seriozisht e ka ai investimin tek Partizani, diçka që nuk e ka çdo president dhe jo vetëm në Shqipëri.

Merkato? Klubi është dakord që unë të bëj përforcime, por dua të theksoj se në futboll problemet nuk i zgjidh një individ, sado i rëndësishëm që të jetë. Nëse ne nuk luajmë si skuadër, nëse nuk do të jemi të bashkuar, me mentalitet të përbashkët, nuk mund të kemi sukses. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është të rifitojmë mentalitetin e skuadrës”, tha Sormani.