AKTUALITET, 29 Prill 2018, 21:14

Skënderbeu dorëzohet në shtëpi, 2018 është viti i Kukësit

Skënderbeu dorëzohet në shtëpi, 2018 është viti i

Kukësi ka arritur të marrë një fitore në transfertë përballë Skënderbeut me rezultatin 0-1, duke i shtyrë festën e titullit korçarëve.

Në një ndeshje ku Skënderbeu ka pasur më shumë qarkullim topi, Kukësi ka pritur momentin e duhur për të goditur në kundërsulm. Guri, pasi ka parë t’i mohohet një penallti nga gjyqtari Hamiti në pjesën e parë, ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që iu dha në të dytën, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje dënimi perfekte që mposhti Shehin.

Me këtë fitore, tekniku i Kukësit Peter Pakult ka treguar se e ka rikthyer ekipin në nivelet më të larta, pasi që në kohën kur ai u emërua në krye të pankinës verilindore, Kukësi ka arritur të marrë 33 pikë, ndërkohë që Skënderbeu ka marrë 32 pikë.

Viti 2018, deri tani është viti i Kukësit dhe jo viti i Skënderbeut, pasi verilindorët kanë arritur të rikuperojnë 2 vende në renditje duke blinduar vendin e dytë dhe me shumë mundësi, do të luajnë në Ligën e Kampionëve, nëse KAS-i lë në fuqi dënimin për Skënderbeun.

Nga ana tjetër, Ilir Dajës i duhen edhe 2 fitore në 5 ndeshjet e mbetura për të siguruar titullin kampion, pasi diferenca e skuadrave është 9 pikë.