AKTUALITET, 10 August 2026, 16:21

Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Pesë vatra aktive, vijon ndërhyrja në Krujë dhe Priskë  

Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Pesë vatra aktive, vijon

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë vendosur 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Dajt situata vijon të mbahet nën monitorim. Në Cikallesh të Kavajës zjarri është shuar plotësisht, ndërsa në Priskë e Madhe vijon ndërhyrja me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe mbështetjen e një helikopteri. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar dhe po monitorohen. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë plotësisht nën kontroll.

Situata vijon të jetë aktive në Krujë, ku zjarri në Abaze vazhdon, por pa rrezikuar zonat e banuara.

Në Krastë, zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në masiv pyjor. Në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në Vilëz, bashkia Kurbin, zjarri u shua plotësisht në orën 13:00, pas ndërhyrjes së forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së.

Aktive mbeten edhe vatrat në malin e Nemëçkës, bashkia Përmet, dhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe.

Të dyja ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes thekson se puna vijon në të gjitha vatrat aktive dhe aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.