TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dy ditë pasi kryeministri Edi Rama dha lajmin se qeveria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti Covid ka reaguar edhe ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.
Në një postim në rrjetet sociale, Tavo kërkon nga qeveria që të bëjë publike kontratën, burimin, kushtet dhe strategjinë e zbatimit.
Tavo ngre disa pyetje, ndërsa thekson se vaksinat kërkojnë kushte shumë të rrepta transporti dhe përdorimi.
Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm për shëndetin publik dhe nuk duhet të bëhet propagandë.
POSTIMI:
Qeveria deklaroi se 10,750 dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit si pjesë e blerjes së 500 mijë dozave nga kompania Pfizer.
Së pari, Shqipërisë i nevojiten me miliona vaksina pasi vaksinat e Pfizer kërkojnë vaksinim të dytë.
Që do të thotë dyfish numër vaksinash për të gjithë popullatën.
Për më tepër, duke qenë se kjo qeveri është më e pabesueshmja në kontinent, ajo nuk ka bërë të ditur se me çfarë kushtesh është arritur blerja e vaksinave, ndaj duhet të bëjë publike kontratën, burimin dhe kushtet.
Gjithashtu të bëjë publike edhe strategjinë e vaksinimit pasi është një proces i gjatë dhe i vështirë.
Cili është afati i vaksinave?
Cilat kategori do vaksinohen të parat?
Cila është strategjia e organizimit?
A është trajnuar stafi i posaçëm?
Vaksinat kërkojnë kushte shumë të rrepta transporti dhe përdorimi. A janë marrë të gjitha masat?
Ky është një moment tejet i rëndësishëm për shëndetin publik. Një proces që nuk ka kurrësesi vend për propagandën e zakonshme të kësaj qeverie por kërkohet profesionalizëm maksimal.
Ndryshe nga aferat e errëta të 7 viteve, në këtë çështje që ka të bëjë me jetën e njerëzve, duhet të bëjë publike marrëveshjen për vaksinat dhe strategjinë e zbatimit.
Aq e pabesueshme është kjo qeveri sa që çdo fjalë e saj është vetëm mashtrim. Dhe me jetën e njerëzve të thjeshtë nuk mund të luhet apo mashtrohet.