TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Që prej nisjes së diskutimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri të shoqëruar me kulla, kanë ekzistuar dyshime të shumta se kryeministri Edi Rama sëbashku me firmën Fusha sh.p.k, dhe kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, ishin dakordësuar për këtë projekt , kishin zgjedhur arkitektin që do ta projektonte, skemën me të cilën do të ndërtohej dhe të gjitha detajet e tjera për këtë projekt fitimprurës, kohë përpara se Shkëlqim Fusha, administratori i firmës "Fusha sh.p.k", të shpaloste një "shprehje interesi" për të ndërtuar teatrin e shqiptarëve.
Problemi sigurisht, ishte se në sytë e publikut nuk duhej kurrësesi të shfaqej kjo panoramë, askush nuk duhet të dinte se vendimi ishte marrë për shembjen e teatrit dhe për ndërtimin e kullave, në fshehtësi, pa konsultime me publikun, pa konsultime me aktorët, por ishte një vendimpersonal i kryeministrit në bashkëpunim me Erion Veliajn dhe Shkëlqim Fushën. Për këtë arsye, Fusha detyrohet të dërgojë një letër Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës, në datë 16.02.2018, ku shpreh interesin për ndërtimin e Teatrit të ri.
Në këtë letër, Shkëlqim Fusha thotë se " Duke marrë shkasë jo vetëm nga interesi im, si një pronar për një pjesë të truallit dhe objektit, por edhe mbështetur në interesin publik, të shfaqur nëpër media, për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar (si pjesë e programit qeverisës aktual), nëpërmjet komunikimeve të bëra publike nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe ministrja e Kulturës, propozoj që shteti të vërë në dispozicion, truallin shtetëror, për zhvillimin e zonës, përkundrejt, ndërtimin aty të godinës së veçantë të Teatrit të ri Kombëtar, me standarte bashkëkohore".
Pra, me fjalë të tjera, Shkëlqim Fusha thotë se ka dëgjuar debatet publike për teatrin dhe i ka shkrepur në mendje, se ai mund të ndihmojë popullin shqiptar me një teatër të ri, duke ndërtuar edhe objektet e veta, duke qenë se është pronar i një trualli pranë teatrit.
Letra e Shkëlqim Fushës, siguruar nga BIRN
Por, fasadën e ndërtuar me kujdes nga shumë prej aktorëve të këtij projekti, e rrëzoi pikërisht, Edi Rama, një javë më parë. Në intervistën në emisionin "Open, në Top Channel, Rama, padashje zbuloi për publikun se në fakt ishte ai dhe njerëzit që e rrethojnë, që e kanë ngjizur këtë histori. Ai pranoi se i ka kërkuar firmës "Fusha" të ndërtojë teatrin kombëtar, sepse ndryshe nuk do mund të ndërtonte kullat në tokën që zotëron. Ky pohim i kryeministrit, hedh poshtë të gjithë argumentat për "një ofertë të pakërkuar", sepse ai vetë pranon se kemi të bëjmë me një kërkesë të kryeministrit.
“Ja kemi kërkuar ne, ne ja kemi kërkuar që, nuk ndërton dot në hesapin tënd, por urdhëro, merr përsipër të kontribuosh për të ndërtuar teatrin", u shpreh Edi Rama në "Open". (shih videon, 22:10)
Ky pohim i kryeministrit, tregon se nuk ka qenë asnjëherë në diskutim fati i teatrit kombëtar, se ai ishte vendosur të shembej me kohë, pa pyetur qytetarët, pa u konsultuar me komunitetin e artistëve, pa pyetur për trashëgiminë kulturore, pa u interesuar për mendimin e arkitektëve dhe inxhinierëve. Kjo deklaratë e pakujdesshme e Ramës, tregon se të gjitha dëgjesat e Erion Veliajt, kanë qenë fallso, të gjitha përbetimet e tij ndaj aktorëve , kanë qenë një lojë, se letra e Shkëlqim Fushës ka qenë një tentativë për të fshehur ideuesin e vërtetë të këtij projekti, siç dyshohej nga një numër i madh i atyre që e kanë ndjekur këtë debat.
Lehtësia me të cilën Edi Rama thotë se i ka kërkuar një subjekti privat ndërtimin e teatrit Kombëtar, të cilin ai kishte vendosur po vetë ta shmebte, është e frikshme. Ajo dëshmon qartë se si merren vendimet për pronën publike në Shqipëri, pa garë, pa respektuar ligjin, pa pyetur askënd. Ajo dëshmon qartë se kryeministri e trajton pronën publike si pronën e tij. Se është kryeministrit atij të cilit i shkrep një mendim në kokë, dhe pastaj një ushtri e tërë propagande duhet ta paketojnë këtë ide dhe ta zbatojë atë duke hartuar edhe letrat përkatëse, për ti hedhur përfundimisht hi syve shqiptarëve.
Por, për fatëkeqësinë e Edi Ramës, ndodh që ai të harrojë edhe gënjeshtrat që ka prodhuar makineria e tij e propagandës, siç ndodhi në emisionin "Open", ku padashje ai pranoi se një ditë të bukur, është zgjuar në mëngjes dhe i ka kërkuar një subjekti privat ndërtimin e Teatrit Kombëtar.
Por, sinqeriteti i Edi Ramës në këtë emision nuk mbaron këtu. Ai zbuloi gjithashtu, se pavarësisht arnimit të projektligjit dhe hapjes së garës, fituesi me gjasë do të jetë sërish Fusha sh.p.k, sepse ka prokurë nga pronarët e tokës, duke dëshmuar se gara e hapur nuk është gjë tjetër veçse një procedurë formale, një truk, për të legjitimuar një grabitje.
"Do ndodhi që, një kompani tjetër, që do të dojë të ndërtojë teatrin, duhet të shkojë dhe të marrë prokurat e pronarëve, nëse i merr, bujrum, ne nuk kemi asnjë problem", deklaroi Edi Rama, duke e bërë kështu të qartë se "gara" e hapur prej tij, nuk mund të ketë fitues tjetër, sepse prokurën nga pronarët e ka siguruar Shkëlqim Fusha dhe është e pa imagjinueshme që atë ta marrë një tjetër kompani.
Kritikët e këtij projekti që shkatërron përfundimisht Teatrin Kombëtar dhe i dhuron kryeqytetit më shumë beton, kanë kohë që bërtasin për dyshimet dhe provat se kemi të bëjmë me një projekt të ngjizur nga Edi Rama. Por, aq i pafytyrë është ky pushtet, sa asnjë provë nuk është e nevojshme, sepse kryeministri e pranon krimin, me gojën e tij, përpara të gjithë shqiptarëve.
/TPZ.AL/