AKTUALITET, 17 July 2026, 12:29

Operacioni/ Mbeti i plagosur pas një konflikti në Pogradec, arrestohet Brian Syzo! Në pranga vihet edhe vëllai i autorit

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për atentatin e 30 qershorit në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë Brian Syzo. 

Pas ngjarjes së rëndë të 30-qershorit në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë Brian Syzo, Policia ka vënë në pranga vëllain e autorit Nikolla Agolli, 22-vjeçarin Edison Agolli, i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.

Policia ka arrestuar Edison Agollin, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje, ndërsa është vënë në pranga edhe vetë 35-vjeçari Syzo për një çështje të mëparshme penale.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 22-vjeçari Edison Agolli, vëllai i autorit të dyshuar, u arrestua nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Korçë, pasi ishte shpallur në kërkim pas atentatit.

Sipas hetimeve, Agolli dyshohet se ka qenë pjesë e grupit që tentoi vrasjen e Brian Syzos, së bashku me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë. Ndaj tij rëndon akuza për “vrasje me paramendim e kryer për interes dhe hakmarrje”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se 22-vjeçari ka vendosur një kamerë pranë IEVP Drenovë për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos.

Ndërkohë, Brian Syzo është arrestuar pasi Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec të vitit 2023 për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Për këtë çështje, ai do të vuajë dënimin prej 3 vitesh e 4 muaj burg.

Hetimet për atentatin në Pogradec vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të personave të tjerë të përfshirë.