AKTUALITET, 29 Shtator 2018, 10:47

Shtëpitë qeveritare të pushimit, 30 mln për gërshërë dhe pinceta peshku, thikë për salmon, gota shampanje ...

Luksi i zyrtarëve vijon të rritet, ndërsa qytetarët dita ditës po varfërohen. Nëse 95 % e shqiptarëve nuk e kanë provuar salmonin (peshk), shtëpitë e pushimit të krerëve të shtetit po blejnë enë guzhine për gatim, madje edhe për pastrimin të tij.

Jo vetëm kaq, po nga një vëzhgim i Tpz.al, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila merret me administrimin e shtëpive të pushimit, ka akorduar plot 30 milionë lekë të vjetra për blerjen e enëve luksoze të kuzhinës .

Kjo drejtori kërkon, ndër të tjera, edhe blerjen e gërshërëve për pastrim peshku, pinceta për halat e peshkut, thikë për fileto e rosto mishi, madje edhe thikë për fileto salmoni. Gjithashtu, kërkohen të blihen edhe 100 gota shampanje e shumë orendi të tjera, të cilat janë të denja për hotelet me 5 yje.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, me objekt “Pajisje, enë e mjete kuzhine”, ndërsa fondi siç e thamë është plotë 30 milionë lekë. Pra, këto lekë të taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë sërish për luksin e këtyre zyrtarëve, të cilët pasi janë pasuruar dhe rregulluar banesat e tyre, po mendojnë edhe për luksin në zyrat dhe shtëpitë e pushimit të shtetit.

Në dokumente thuhet se kjo drejtori kërkon edhe kabinë për fermentimin e brumit me avull, të ketë kapacitet 8 tava, ndërsa të ketë një peshë prej 62 kilogramësh. Gjithashtu kërkon rrafëse vezësh, mikser, grirëse, frulator, shtrydhëse agrumesh, afetatriçe profesionale dhe shtrydhëse frutash.

Zyrtarët do të blejnë edhe tigan profesional antiaderent me shtatë shtresa që i jep rezistencë edhe me te lartë si dhe me nje veshje minerale. Madje, edhe tigan për krepa dhe tigan tjetër profesional për krepa antikera. Do të blihen gërshërë për pastrim peshku, pinceta për halat e peshkut, thikë për fileto e rosto mishi, thikë për fileto salmoni, thikë për pastiçeri, thikë për filetim peshku, thike kuzhine për heqjen e kockave, madje edhe thikë profesionale kuzhine për heqjen e kockave me gjatësi 18 cm, material inoks. /TPZ.AL/

Dokumenti i tenderit;

Lista e enëve të guzhinës;