TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Grand Prix” e televizioneve ka ndezur motorët përgjatë shtatorit në një garë të ethshme, në kërkim të shumicës së audiencës. Nëse ke këtë të fundit në krah, sigurisht që do të thotë më shumë para. Por cilët janë këtë vit në krye të listës së emisioneve ku reklama paguhet më shumë? Drejtuesit të cilët kujdesen për programet tregojnë se vit pas viti, programacionet janë konsoliduar duke mbajtur një strukturë bazë e sprovuar në kohë, ashtu siç nuk mungojnë emisionet e reja.
Në një treg të vogël si Shqipëria, secili kërkon “asin” nën mëngë përballë kundërshtarit, koha ka treguar se politika (me pak sherr) dhe telenovelat janë një zgjedhje e mirë gjithmonë. Në raport me vendet e tjera, Shqipëria është një ishull mediatik në aspektin e preferencës në prime-time. Ky hark kohor mbytet nga politika, krejt e kundërta me italianët që duan të argëtohen apo amerikanët dhe britanikët që duan seriale dhe drama.
Shtatori ka shënuar si çdo vit “startin” e sezonit të ri në televizione. Motorët për garën e re u nxehën që gjatë gushtit kur u njoftuan përmes spoteve prurjet e reja, ndërkohë që kjo u bë edhe më intensive këtë muaj. Pjesa më e madhe e emisioneve të strukturës që kanë televizionet, kryesisht ato të mëngjesit, debatet politike si dhe disa të tjerë të lidhur me argëtimin, kanë nisur. Ndërkohë që të tjerë janë ende duke u bërë gati e akoma më tej ende në diskutim, sepse koha në televizione nuk mbaron kurrë.
Ka gjithmonë një hapësirë ku mund të jepet diçka më shumë, të trajtohet një tendencë e re, të sillet një patentë më e fundit për një emision të ri, të serviret një dramë apo serial. Janë kaq shumë televizione, por një audiencë e vogël e cila në morinë e një oferte të lartë copëzohet. Gjithsesi në finale dy janë boshtet ku rrihet vëmendja e shumicës, debati politik dhe telenovelat.
Shqipëria, një ishull për prime-time, ne duam politikë, bota seriale dramë dhe argëtim
Vitin e kaluar, 33% e audiencës amerikane u fokusua te dramat në kohën prime-time, 18% në komedi, 18% në një show reality, 15% në lajme dhe 10% në sport. Mjafton të shohësh këtë shembull për të kuptuar se Shqipëria është si dita me natën për preferencën që ka audienca për atë që do të ndjekë në prime-time. Pothuajse gjithë fashën që konsiderohet si e tillë 21:00-23:00 (gjithsesi prime-time asnjëherë nuk është e ndarë në mënyrë të saktë, sepse disa televizione e konsiderojnë 21:00-22:00) e zënë emisione aktualiteti dhe politike që kanë në thelb debatin. Është pikërisht kjo arsyeja pse pothuajse çdo televizion ka një emision dhe një figurë përfaqësuese që drejton debatin politik.
Por Shqipëria është e çuditshme edhe në raport me vende të tjera. Për shembull, edhe në Britani, në prime-time zakonisht kanë udhëhequr dramat, si dhe emisionet reality apo talent show. E njëjta situatë paraqitet edhe në Itali, në kohën kur arrihet edhe maksimumi i audiencës në transmetim janë emisione të ndryshëm argëtues ose seriale të njohur italianë, që vijojnë për sezone e sezone me radhë, një pjesë e të cilëve janë transmetuar edhe në Shqipëri.
Monitor