AKTUALITET, 6 Korrik 2020, 12:32

Shqiptarja fiton mandatin e deputetes në Kroaci, Meta: Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve do të forcojë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE

Shqiptarja fiton mandatin e deputetes në Kroaci, Meta: Thellimi i


Shqiptarja nga Prizreni, Ermina Lekaj-Përlaskaj, ka fituar mandatin e deputetes në zgjedhjet që janë mbajtur dje në Kroaci.

Kjo ka sjellë reagimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili teksa shpreh gëzimin për fitoren e Përlaskës, thotë se është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat.

Më tej Kreu i shtetit thekson se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

Shumë i gëzuar nga lajmi për fitoren e mandatit të deputetes në Parlamentin e Kroacisë, për herë të tretë, të znj.Ermina Lekaj-Përlaskaj.

Është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat me një deputete të nderuar, një tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.

Përvoja e saj është garanci edhe për të ardhmen e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.

Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.