AKTUALITET, 29 July 2026, 22:37

“Shqipëria kërkon revolucion!”- Përfundon protesta e 60-të kundër qeverisë, qytetarët pas dy muajsh qëndresë: Nesër më shumë!

Rezistenca qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka shënuar mbrëmjen e sotme ditën e 60-të të protestës, me mijëra qytetarë që u mblodhën në qendër të Tiranës dhe marshuan drejt Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik.

Protesta nisi në orën 19:30 nga sheshi “Skënderbej”, ku qytetarët u mblodhën me pankarta, flamuj dhe banderola, përpara se të marshonin drejt godinës së Kryeministrisë. Për dy muaj me radhë, protestuesit janë mbledhur çdo ditë me një kërkesë të vetme, të cilën e cilësojnë të panegociueshme: largimin e menjëhershëm të Edi Ramës.

Në bulevardin kryesor të Tiranës u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, korrupsionit dhe klasës politike, ndërsa qytetarët kërkuan ndryshim të sistemit dhe krijimin e një qeverie tranzitore që, sipas tyre, do të hapte rrugën për zgjedhje të reja.

Ndër parullat më të spikatura të protestës ishin: “Historia vazhdon, 60 ditë protestë”, “Dorëhiqu”, “Problem nuk është çfarë shohim ne, por çfarë sheh ti”, “Nëse sheh korba, nesër edhe më shumë”, në reagim ndaj deklaratave të mëparshme të kryeministrit ndaj protestuesve.

Gjatë marshimit qytetarët brohoritën gjithashtu: “Rama jep dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën”, “Ju me gaz, ne me vezë, Edi Rama i pabesë”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama dil në bulevard, Atdheu është i yni jo biznes privat”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria e shqiptarëve”, “Opozitë e shitur” dhe thirrje të tjera kundër qeverisë.

Aktivistët: Nuk largohemi nga sheshi pa dorëheqjen e Ramës

Nga podiumi i protestës folën disa aktivistë dhe qytetarë. Aktivistja Arvina Lleshi deklaroi se pas 60 ditësh qëndresë qytetarët vijojnë të jenë të bashkuar dhe të palëkundur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit.

“Janë 60 ditë qëndresë dhe rezistencë që kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës. Prej dy muajsh kemi treguar se jemi të fortë dhe rezistentë për një qëllim: Dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh ajo.

Një tjetër aktivist theksoi se protesta nuk ka organizatorë politikë, por është një lëvizje e qytetarëve shqiptarë, të bashkuar sipas tij rreth një kauze të vetme.

“Kjo protestë nuk ka organizatorë. Kjo është protestë e qytetarëve shqiptarë. Ajo që është këtu është mbarëvajtja për t’i shërbyer kauzës kryesore, dorëheqjes së Edi Ramës”, deklaroi ai, duke falënderuar qytetarët që vijnë nga rrethet për të marrë pjesë në protestë.

Ilir Xhemalaj: Nuk do ta lëshojmë sheshin

Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se qytetarët nuk do të largohen nga protesta deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ai tregoi edhe një bisedë me një nënë në Lushnjë, e cila, sipas tij, i kishte kërkuar që protesta të vazhdonte deri në kthimin e djalit të saj emigrant.

“Më tha: ‘Të lutem, mos e lëshoni atë shesh derisa djali im të kthehet.’ Dhe unë i dhashë fjalën dhe besën që ne nuk do ta lëshojmë këtë shesh derisa djali i asaj nëne dhe djemtë e të gjitha nënave në Shqipëri të kthehen në vendin e tyre”, tha Xhemalaj.

Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj qeverisë për situatën në vend, duke përmendur edhe tragjedinë e ndodhur në Shkodër me humbjen e jetës së një nëne dhe dy fëmijëve, duke pretenduar se mungesat në shërbimet publike kanë pasoja të rënda.

Xhemalaj deklaroi se “lufta nuk është me serbët apo grekët, por me qeverinë shqiptare”, të cilën e akuzoi për largimin e shqiptarëve nga vendi dhe kërkoi vazhdimin e protestës deri në ndryshimin politik.

Thirrje për hetime dhe akuza për projektet në bregdet

Një tjetër aktivist nga podiumi kërkoi ndërhyrjen e SPAK-ut për hetimin e çështjeve që lidhen me lejet e ndërtimit në bregdet dhe projektet strategjike të miratuara nga qeveria.

Ai kërkoi hetim për projektet në zona si Zvërneci dhe Rrjolli, duke deklaruar se sipas tij ka “dritëhije” dhe mungesë transparence. Ai bëri thirrje që të hetohen përgjegjësit dhe që institucionet e drejtësisë të veprojnë.

Banorët e Rrjollit: Kërkojmë transparencë për tokat dhe investimet

Në protestë foli edhe banorja e Rrjollit dhe aktivistja Luçiana Kokaj, e cila deklaroi se diaspora shqiptare në Holandë ka zhvilluar protesta dhe u ka kërkuar autoriteteve holandeze transparencë për projektet që lidhen me investimet në Shqipëri.

Ajo tha se banorët janë mbledhur për të mbrojtur tokat në zonën e Rrjollit dhe ngriti shqetësime për projektet që, sipas saj, po zhvillohen pa transparencë.

Kokaj deklaroi se një ish-drejtor i Hipotekave disponon mbi 1200 hektarë tokë në Rrjoll dhe se banorët nuk kanë informacion të plotë për këtë çështje.

Ajo lexoi pjesë nga një letër e diasporës drejtuar autoriteteve holandeze, ku kërkohet shqyrtimi i projekteve dhe transparencë për kompanitë holandeze që planifikojnë investime në Shqipëri.

“Shqipëria nuk është në shitje”

Një nga momentet e veçanta të protestës ishte shfaqja e parullës gjigande “Shqipëria nuk është në shitje”, e vendosur në bulevard pranë Kryeministrisë.

Protestuesit thanë se përmes kësaj parulle i dërguan një mesazh kryeministrit se vendi nuk duhet të trajtohet si pronë private dhe se vendimmarrjet për territorin duhet të jenë transparente.

Gjatë marshimit u dëgjuan edhe thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion”, “Diaspora zemra e Shqipërisë”, “Ndryshim sistemi”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”.

Protesta e 60-të mbyllet me thirrjen: “Nesër më shumë!”

Pas dy muajsh protestash të përditshme, qytetarët mbyllën mbrëmjen e sotme protestën e 60-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.

Ashtu si në netët e mëparshme, pas fjalimeve në podium protesta vijoi me marshimin tradicional në rrugët e Tiranës. Qytetarët mbajtën pankarta dhe brohoritën kundër qeverisë, ndërsa në përfundim të tubimit organizatorët bënë thirrje për vazhdimin e rezistencës edhe në ditët në vijim.

“Shqipëria kërkon revolucion!” ishte një prej thirrjeve kryesore të dëgjuara gjatë protestës, ndërsa protestuesit përsëritën edhe sloganin “Rama jep dorëheqjen!”.

Nga sheshi përpara Kryeministrisë u dha mesazhi për rikthim edhe ditën e nesërme me thirrjen: “Nesër më shumë!”, ndërsa protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndrimin e tyre deri në realizimin e kërkesës kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.