AKTUALITET, 28 Korrik 2018, 09:08

‘Shqipëria do të futet në BE. Seriozisht?’ Facebook zbulon reklamat e Brexit që trembnin votuesit

‘Shqipëria do të futet në BE. Seriozisht?’ Facebook

“Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia do të futen në BE. Seriozisht? Votoni Brexit”, është një nga reklamat e shpërndara nga shoqatat e britanikëve që mbështesnin largimin nga BE. “Vote Leave”, ka shpenzuar më shumë se 2.7 milionë sterlina për reklama që synonte grupe specifike në Facebook, gjë që i ka ndihmuar të fitojnë referendumin e vitit 2016 për të dalë nga BE-ja.Reklama

Facebook i ka bërë reklamat publike dhe i ka dërguar te komisioni parlamentar britanik që po heton për lajme të rreme, “Fake News”. Kjo do të thotë se reklamat tani mund të shihen nga kushdo, jo vetëm nga përdoruesit e Facebook që kishin përzgjedhur mbështetësit e Brexit.

Reklamat e krijuara nga kompania kanadeze “Aggregate AIQ” përqendroheshin mbi çështje specifike, si emigrimi apo të drejtat e kafshëve, dhe përpiqeshin të ngacmonin telat më delikate të një grupi të caktuar njerëzish, duke i zgjedhur sipas moshës, sipas vendit ku jetonin dhe sipas të dhënave të tjera personale, të cilat i kanë marrë nga rrjetet shoqërore e nga burime të ndryshme.

Dokumenti me 120 faqe duket se mbështet gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që javën e shkuar vendosi se “Vote Leave” ka shkelur ligjin zgjedhor, në bashkëpunim me një tjetër fushatë, “BeLeave”, gjë që është mohuar nga të dyja grupet.

Shumë prej reklamave të “BeLeave” ishin dërguar nga llogaria e Facebook të “Vote Leave”, si kjo që shihni në foton më poshtë.