BOTA, 5 September 2026, 12:49

Shpërthime të fuqishme në një bazë ushtarake në Bolivi, të paktën 10 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas dy shpërthimeve të fuqishme që goditën të premten një bazë ushtarake në qytetin Viacha, në Bolivinë perëndimore.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Viacha, Rita Nebraska, tha se raportet paraprake ushtarake flasin për 10 deri në 15 viktima nga shpërthimet.

Sipas saj, një spital në zonë ka pranuar 62 pacientë, ndërsa 14 prej tyre janë transferuar në spitale të specializuara në La Paz për shkak të traumave të rënda dhe djegieve. Mes të plagosurve ndodheshin edhe 10 ushtarakë, të cilët u dërguan në një spital ushtarak.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se shpërthimet ndodhën rreth orës 14:30 me kohën lokale, në Qendrën e Mirëmbajtjes së Përgjithshme të bazës ushtarake RAM-2 “Bolivar”, në Viacha.

Ministri i Mbrojtjes, Ernesto Justiniano, shpjegoi se shpërthimi i parë përfshiu barut të zi, i cili ishte pjesë e materialit piroteknik të magazinuar në bazë. Menjëherë pas tij ndodhi një shpërthim i dytë, shumë më i fuqishëm.

Fillimisht, autoritetet raportuan një bilanc prej dy viktimash, 81 të plagosurish dhe shtatë personash të zhdukur. Justiniano tha se dy nga të plagosurit ndodheshin në gjendje kritike, ndërsa theksoi se nuk do të nxirreshin përfundime të parakohshme për numrin përfundimtar të viktimave, pasi ekipet vijonin punën për largimin e rrënojave.

Shpërthimet prekën një zonë me rreze prej rreth 1 kilometri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Autoritetet paralajmëruan gjithashtu se municione të rrezikshme mbetën të ekspozuara në hapësirat publike pas shpërthimeve.

Në Viacha, qytet që ndodhet rreth 22 kilometra në jugperëndim të La Pazit, autoritetet komunale shpallën tri ditë zie në nderim të viktimave dhe në shenjë solidariteti me familjet e tyre.

Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, shprehu solidaritetin e tij me familjet e prekura dhe urdhëroi zhvillimin e një hetimi të plotë dhe transparent për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimeve.

Paz theksoi se autoritetet nuk do të spekulojnë dhe as nuk do të nxitojnë në përfundime për përgjegjësit, ndërsa hetimet dhe operacionet në zonën e bazës ushtarake vijojnë.