BOTA, 4 September 2026, 20:07

Nafta në SHBA arrin çmim rekord, rritja e energjisë shton presionin mbi administratën Trump

Çmimi i naftës për automjetet me motor dizel në Shtetet e Bashkuara ka arritur një nivel rekord, duke u ngjitur në 5,85 dollarë për gallon (rreth 3,8 litra), sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Automobilistëve (AAA).

Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për dizelin në SHBA. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në vitin 2022, në periudhën pas pushtimit rus të Ukrainës.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm pas nisjes së luftës së SHBA-së kundër Iranit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur, ndër të tjera, duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore detare për transportin e hidrokarbureve.

Edhe benzina e zakonshme ka shënuar rritje në pikat e karburantit amerikane. Çmimi mesatar ka arritur në 4,15 dollarë për gallon, megjithëse mbetet nën rekordin prej 5,05 dollarësh të regjistruar në vitin 2022, sipas AAA.

Rritja e kostove të energjisë vjen në një moment të ndjeshëm për administratën amerikane. Lufta në Lindjen e Mesme, e cila është jopopullore në SHBA, po ushtron presion mbi ekzekutivin amerikan disa muaj përpara zgjedhjeve kombëtare të mesmandatit.

Presidenti Donald Trump kishte vendosur përmirësimin e fuqisë blerëse të amerikanëve ndër prioritetet kryesore të fushatës së tij fituese të vitit 2024.