AKTUALITET, 20 Gusht 2019, 08:44

Shpërthim me tritol në një banesë në Kamëz

Shpërthim me tritol në një banesë në Kamëz


Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur gjatë natës në një banesë në Kamëz.

Sipas informacioneve mësohet se një sasi tritoli ka shpërthyer në derën e banesës së Gjergji Kolës.

Fatmirësisht asnjë prej familjarëve nuk ka qenë në shtëpi dhe nuk ka të lënduar. Sipas informacioneve dyshohet se shkaku i këtij sulmi me eksploziv ka ardhur si pasojë e konflikteve të mundshme familjare që Gjergj Kola ka patur.

Ndërkohë policia ka zbuluar autorin dhe po punon për kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Më datë 19.08.2019, rreth orës 22:14, në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në Kamëz, në oborrin afër derës së banesës së shtetasit Gj. K, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, duke shkaktuar dëme të vogla materiale.

Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ka patur njeri.

Pas veprimeve të para hetimore Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij. Për arsye hetimore nuk bëhen me dije të dhënat e tij.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.