AKTUALITET, 7 Prill 2019, 15:25

Shkëmbi merr besimin e presidentit Hasanbelliu, Teuta vazhdon me korçarin në stol

Shkëmbi merr besimin e presidentit Hasanbelliu, Teuta vazhdon me

“Dikush duhet të marrë përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi më takon mua. Nuk kam pse fshihem. Do të marrim një vendim bashkë me klubin. Teuta është si shtëpia ime”, – ka thënë trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, pas humbjes së thellë me Laçin ditën e shtunë. Trajneri i durrsakëve la gjithçka ta hapur sa i takon largimit, duke theksuar se do të merrej një vendim për të mirën e Teutës.

Dhe ky vendim është marrë tashmë nga presidenti Edmond Hasanbelliu, i cili i ka dhënë besim Shkëmbit. Nuk do të ketë ndryshim në stolin e Teutës, që mban vendin e tretë dhe është brenda objektivit për të luajtur në Kupat e Europës.

Ka mbetur edhe një fazë kampionati për t’u zhvilluar dhe nga klubi durrsak është menduar se është më mirë që skuadra të vazhdojë me të njëjtin trajner. Përpara është ndeshja me Flamurtarin dhe pritet që Teuta të reagojë, pas disa ndeshjesh të dobëta. Edhe vetë trajneri Shkëmbi e ka pranuar se ky është një moment i vështirë për Teutën, por tashmë ka marrë besimin e presidentit Hasanbelliu dhe ka edhe një shans për ta kthyer skuadrën në nivelin e mëparshëm.

“Trajneri Bledi Shkëmbi gëzon besimin e plotë të drejtuesve. Kështu që nga nesër ai do të vijojë punën normalisht, ku skuadra do të nisë pergatitjet në kuadër të përballjes me Flamurtarin në Vlorë, një sfidë direkte për luftën për Europë. Misioni i Shkëmbit për ta çuar Teutën në Europë vazhdon”, – shkruan klubi durrsak në faqen e tij zyrtare në Facebook.