TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bregdeti i Shëngjinit po tërheq çdo vit e më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës. Deti i pastër, plazhet, Rana e Hedhun, gastronomia dhe atmosfera e gjallë e kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet më të preferuara të verës në Shqipëri.
Një turist nga Spanja tregon se gjatë udhëtimit të tij ka vizituar disa nga destinacionet më të njohura të vendit, si Shkodra, Valbona, Thethi, Tirana dhe Shëngjini. Sipas tij, mikpritja e shqiptarëve ishte ajo që i la më shumë mbresa.
“Jam ndier shumë mirë gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. Njerëzit më kanë trajtuar si vendas. Më ka pëlqyer shumë edhe ushqimi shqiptar. Valbona më mahniti me natyrën e saj dhe do të doja të rikthehesha pas disa vitesh për të parë zhvillimin e vendit,” u shpreh ai.
Mes pushuesve nuk mungojnë as turistët italianë, të cilët thonë se ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Italisë i bëjnë të ndihen si në shtëpinë e tyre.
Një turist nga Lombardia vlerësoi mikpritjen, jetën e natës, detin dhe kuzhinën shqiptare.
“Kam shtatë ditë në Shqipëri dhe ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Shqiptarët janë shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Më pëlqeu ushqimi tradicional, sidomos djathi, por edhe fakti që këtu gatuhet shumë mirë kuzhina italiane,” tha ai.
Ndërsa një tjetër vizitor nga Desenzano del Garda tregoi se ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë dhe se eksperienca kishte tejkaluar pritshmëritë e tij.
“Më pëlqeu shumë xhiroja me xhet-ski dhe atmosfera e Shëngjinit. Është një destinacion i përshtatshëm si për të rinjtë, ashtu edhe për familjet. Mikpritja ishte e ngrohtë dhe ushqimi shumë i shijshëm. Do të rikthehem sërish vitin e ardhshëm,” u shpreh ai.
Përtej detit dhe plazheve, turistët vlerësojnë çmimet e favorshme, kuzhinën tradicionale, aktivitetet argëtuese dhe mikpritjen e banorëve vendas.
Me fluksin e turistëve të huaj në rritje nga viti në vit, Shëngjini po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet kryesore turistike të verës në Shqipëri, duke tërhequr vizitorë që largohen me premtimin për t’u rikthyer.