AKTUALITET, 26 Shkurt 2020, 10:53

“Shëndetësia e rilindjes”, Spahia: Fasadë nga A-ja tek ZH-ja, e aspak shërbim!

“Shëndetësia e rilindjes”, Spahia: Fasadë nga A-ja


Ish deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka reaguar ndaj disa deklaratave të ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila deklaroi se rilindja ka nisur nga minusi punën në shëndetësi.

“Zonjë, jeni ju një minus shumë i madh për sistemin shëndetësor! Kjo është pak por e sigurtë, sepse e thonë pikërisht mjekët që përballen ditë pas dite me politikat tuaja dritëshkurtra, ku fasada është A-ja dhe ZH-ja, e aspak shërbimi shëndetësor!

Janë ata që po i dekurajoni me politikat e PPP-ve, duke u urdhëruar racionimin e shërbimeve, duke i përballur me mungesa që i venë në vështirësi përballë pacientëve”, shkruan Spahia në facebook.

Postimi i plotë:

"PUNA” E RILINDJES NE SHENDETESI: FAJESIMI I PARAARDHESVE!!!

Sipas ministres Manastirliu, rilindja e paskërka nisur nga minusi punën në shëndetësi! E thotë pa iu dridhur qerpiku! As skuqet e as zverdhet, edhe kur thotë se eksodi i mjekëve paskërka si shkak mungesën e specializimeve në qeverisjen e PD!!!

Po mirë, meqë e paskeni gjetur këtë situatë, a mund të thoni se cfarë keni bërë ju në këto 7 vite? Pse hemoragjia sa vjen e thellohet? Pse nuk i kuptokan mjekët e infermierët reformat “madhështore” të Rilindjes, por kërkokan mundësi në vende të tjera?

Kush është ai që i ka kushtet këtu, e ikën duke lënë pas familje, shokë e miq, për të nisur gjithçka nga fillimi në vend të huaj? Apo ju nuk mendoni dot kaq thellë, se të menduarit nuk është detyra juaj?

Zonjë, jeni ju një minus shumë i madh për sistemin shëndetësor! Kjo është pak por e sigurtë, sepse e thonë pikërisht mjekët që përballen ditë pas dite me politikat tuaja dritëshkurtra, ku fasada është A-ja dhe ZH-ja, e aspak shërbimi shëndetësor!

Janë ata që po i dekurajoni me politikat e PPP-ve, duke u urdhëruar racionimin e shërbimeve, duke i përballur me mungesa që i venë në vështirësi përballë pacientëve e duke mos i dëgjuar!

Ky stili militant i fajësimit të paraardhësve në fund të mandatit të dytë, në fakt dëshmon pikërisht mungesën e punës, të cilën, nëse do e kishit bërë, do ishit duke e treguar në këto 7 vjet!