TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Personi që shihni në foton më poshtë është autori i masakrës së mbrëmshme në Rrëshen, i cili ekzekutoi me arme ish-gruan e tij, nënë e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj, ish kunatin e tij.
Policia njofton sot se po vijon krehjen e zonës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Kodër Rrëshen.
(Fatmir Kolecaj)
“Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar pa ndërprerë kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i dyshuar i ngjarjes”-thotë policia.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe dokumentimin e ngjarjes.
“Për të bërë të mundur kapjen sa më parë të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë vë në dispozicion 5 milion lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit”-njofton policia, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve.
Sipas policisë, “Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, shtetasin Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin 069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt”.
VRASJA
Sipas informacionit zyrtar të Policisë, në Kodër Rrëshen, Mirditë, rreth orës 20:40, në oborrin e banesës, janë vrarë me armë zjarri shtetasit Vlediason Filopati dhe motra e tij, shtetasja Esmeralda Filopati.
Nga informacionet e para, dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga shtetasi Fatmir Kolecaj, nga fshati Zejmen i Lezhës, ish-bashkëshorti i shtetases Esmeralda Filopati, i cili pas krimit është larguar menjëherë nga vendngjarja.
KONFLIKTI PARA DIVORCIT
Me vendim të datës 15 janar të vitit 2018, Gjykata e Lezhës e ka dënuar Fatmir Kolecajn me 15 muaj burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se, duke iu referuar në deklarimet e të dëmtuarës Esmeralda Kolecaj (Filopati), provohet se marrëdhëniet bashkëshortore të saj me të pandehurin Fatmir Kolecajn janë karakterizuar nga grindje e mosmarrëveshje, të pasuara nga veprime të dhunës fizike dhe psikike të shkaktuara prej të pandehurit mbi bashkëshorten e tij, të cilat kjo e fundit nuk i ka denoncuar më parë në Polici, për arsye se i pandehuri e kërcënonte me fjalët:
“Do të vras po njoftove Policinë…”, duke shoqëruar përdorimin e këtyre fjalëve me praninë e një arme zjarri të mbushur prej tij.
Rasti i fundit, të cilin e dëmtuara Esmeralda Kolecaj e ka denoncuar në Polici, është ai i orës 16:00, të datës 12.07.2017, në të cilën i pandehuri sapo ka hyrë në banesë, ka filluar ta godasë me shuplaka bashkëshorten e tij, pastaj ka marrë një tub gome dhe me të e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit për rreth një orë.
E dëmtuara, Esmeralda Kolecaj (Filopati), ka mundur të telefonojë babanë e saj, të cilit i ka bërë me dije faktet e mësipërme, ndërsa ky i fundit ka njoftuar Policinë.
Në këtë moment, i pandehuri ka shkuar në banjën e banesës dhe ka marrë një armë zjarri që e mbante pa leje të organeve kompetente, të cilën e ka vendosur në tavolinë, ndërsa bashkëshortes së tij i ka thënë:
“Të parën do të vras ty, pastaj do merrem me ato”.
Pas rreth 30 minutash nga kryerja e veprimeve të mësipërme, i pandehuri ka dalë bashkë me armën në oborrin e banesës dhe është rikthyer në banesë, duke mos e pasur armën me vete.