AKTUALITET, 14 Maj 2020, 13:18

Shembja e Teatrit Kombëtar/ Albana Vokshi: Me para te pista duan të ndërtojnë kulla betoni në këtë truall

Shembja e Teatrit Kombëtar/ Albana Vokshi: Me para  te pista duan të


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka deklaruar së fundmi se me paratë e pista të krimit, po synohet që të ndërtohen kulla në truallin e Teatrit Kombëtar. Në një postim në  rrjetet sociale,  ajo shprehet se kësaj skeme kriminale do t’i shërbejë edhe vendimi i nesërm i Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Rreziku i vetëm i vjen nga babëzia e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të vjedhur. Bashkë me artistët dhe qytetarët do të jemi këtu për t’i bërë rezistencë kësaj hordhie që, në ikje e sipër po përpiqet të na vjedhë pasurinë kombëtare, të na shkatërrojë trashëgiminë kulturore me akte talebanësh dhe të na përdhosë identitetin tonë europian.”, shprehet ndër të tjera ajo.

Reagimi i plotë:

Teatri Kombëtar është në rrezik më shumë se asnjëherë nga epidemia e vjedhjes, e grabitjes së pronës publike, nga babëzia për të zhvatur gjithçka që ta jep në dorë pushteti i vjedhur dhe i blerë me paratë e krimit.

Ky është një qark i mbyllur mes qeverisë dhe botës së krimit. Paratë e pista të krimit dhe korrupsionit që zgjedhin qeverinë, parlamentin, pushtetin lokal, kanë vënë në lëvizje vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që të investohen në kulla betoni në tokën e Teatrit dhe në pronën publike pas tij.

Kësaj skeme kriminale do t’i shërbejë edhe vendimi i nesërm i Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky është një vendin që e mbajnë sekret, sepse është një raport i manipuluar, siç ka mashtruar këto 20 vjet Edi Rama opinionin publik, duke na thënë se Teatri rrezikon të shembet. Teatri nuk u shemb as kur gënjeu Edi Rama, as kur ra tërmeti.

Rreziku i vetëm i vjen nga babëzia e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të vjedhur. Bashkë me artistët dhe qytetarët do të jemi këtu për t’i bërë rezistencë kësaj hordhie që, në ikje e sipër po përpiqet të na vjedhë pasurinë kombëtare, të na shkatërrojë trashëgiminë kulturore me akte talebanësh dhe të na përdhosë identitetin tonë europian.

Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave mori vendimin që truallin e Teatrit Kombëtar ta kalojë në pronësi të Bashkisë Tiranë. Në vendimin që është publikuar në Fletoren Zyrtare, bëhet me dije se i jepet mundësi bashkisë që të ndërtojë godinën e re me standarde e kushte bashkohore. Pas këtij vendimi ka pasur shumë reagime, ku artistët kanë thënë se nuk do tërhiqen. Ndërkohë Veliaj është shprehur se godina e re do bëhet, pasi ekzistuesja është me tallash. Nesër pritet të diskutohet në Këshillit e Bashkisë Tiranë për shembjen e Teatrit Kombëtar.