AKTUALITET, 2 November 2026, 21:56

“Sazani është tokë publike”/ Rama mohon marrëveshjen me investitorët dhe ironizon: Trumpi do t’i hajë flamingot për mëngjes

“Sazani është tokë publike”/ Rama mohon

Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektin e investimit në ishullin e Sazanit gjatë një interviste për gazetarin amerikan Andrew Callaghan, në platformën “Channel 5”, duke mohuar se qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje përfundimtare me grupin e investitorëve.

Rama theksoi se ishulli i Sazanit vijon të jetë pronë publike dhe se negociatat për projektin janë ende në zhvillim. Sipas tij, synimi është krijimi i një sipërmarrjeje të përbashkët, ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere, duke përjashtuar mundësinë e privatizimit të ishullit.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë ironizoi edhe reagimet dhe raportimet e shumta që kanë shoqëruar projektin, veçanërisht ato që lidhen me flamingot që ndodhen në ishull. Rama përmendi pretendimet se shpendët do të vriteshin dhe do të përfundonin në tryezën e mëngjesit të presidentit amerikan Donald Trump.

Kryeministri kundërshtoi raportimet se Sazani është privatizuar, duke pretenduar se një pjesë e madhe e informacioneve të publikuara rreth projektit janë të pavërteta. Ai nënvizoi se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje të finalizuar, nuk janë dhënë para dhe nuk ka nisur zbatimi i ndonjë projekti investimi.

Në vijim, Rama u shpreh:

Edi Rama: Sazani është një tokë publike. Nëse nuk e dini, po ju informoj. Dhe për sa kohë flasim, nuk ka asnjë marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe grupit të investitorëve. Nuk ka para, nuk ka projekt. Nuk ka ende një marrëveshje. Ndërkohë ju djema keni gënjyer botën, jo kanali juaj personalisht, keni mashtruar botën, duke i thënë se ishulli është privatizuar. Flamigot në ishull, të cilët nuk e kanë kaluar kurrë ishulli, do të vriten dhe Trump do t’i hajë në mëngjes. Nuk ka akoma një marrëveshje sepse ne po shpresojmë të krijojmë një sipërmarrje të përbashkët ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere dhe kjo është ajo që po them. Në flamingomirror.al mund të konfirmoni se 90% e gjërave që thuhen janë gënjeshtra.