SPORT, 17 Nëntor 2020, 20:04

Sahiti, i bindur: Jemi favoritë, Kosova vetëm për fitore ndaj Moldavisë

Sahiti, i bindur: Jemi favoritë, Kosova vetëm për fitore ndaj

Kosova do të presë Moldavinë, këtë të mërkurë, në “Fadil Vokrri”, në raundin e fundit të ndeshjeve në grupe, ku “Dardanëve” do t’u mjaftojë edhe barazimi për të lënë në vendin e fundit këtë kundërshtar. Në konferencën për shtyp para takimit, ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se verdhekaltrit janë favoritë kundër Moldavisë në këtë përballje direkte për qëndrim në Ligën C.

“COVID-19 dhe lëndimet na kanë prekur më së shumti ne. Në asnjë ndeshje nuk kemi qenë të kompletuar. Jo vetëm një ose dy lojtarë por në çdo ndeshje kemi pasur 5-6 mungesa të rëndësishme dhe kjo sigurisht që e ka bërë të vetën”, – deklaroi tha Sahiti, i cili më tej vijoi:

“Sigurisht që rikthimi i Shalës dhe Celinës na motivon për fitore. Moldavia nuk është kundërshtar i lehtë, por ne jemi favoritë dhe duhet ta dëshmojmë këtë në fushë. Ne hyjmë vetëm për fitore”.

Krah Sahitit në konferencë për shtyp foli edhe mesfushori Herolind Shala:

“Synimi ynë është që të qëndrojmë në Ligën C. Jemi përgatitur, kemi kualitet dhe nuk kemi çka të kërkojmë në Ligën D. Besoj se nesër duhet t’i tregojmë cilësitë tona. Ndaj Moldavisë jemi favoritë, pasi luajmë në shtëpi, por duhet pasur kujdes. Ne duhet të dalim si ekip i bashkuar për ta kthyer entuziazmin”.