AKTUALITET, 21 Gusht 2018, 15:25

Rusia e Kina nisin lojërat më të mëdha të luftës

Rusia e Kina nisin lojërat më të mëdha të luftës
Forcat ushtarake të Rusisë në lindje të vendit u vunë në gatishmëri të lartë përpara lojërave masive të luftës, që këtë vit do të përfshijnë edhe Kinën dhe Mongolinë, si shfaqja më e madhe e fuqisë në gati 40 vjet.

Ministri i Mbrojtjes në Rusi, Sergei Shoigu tha se inspektimi i parakohshëm pesëditor i trupave do të hapë rrugën për stërvitjen masive të quajtur “Vostok-2018’ ose “Lindje-2018”, e cila do të mbahet në gusht dhe shtator. “Vostok-2018”, sipas ministrit rus, “do të jetë e paprecedentë në madhësi, si në aspektin e fushës së operacioneve dhe numrit të strukturës komanduese ushtarake, trupave dhe forcave të përfshira”, tha Shoigu, i cili i quajti lojërat e ardhshme luftarake si “aksioni më i madh përgatitor për forcat e armatosura që nga Zapad-81”.

Ushtrimet e “Zapad” apo “Perëndim” në vitin 1981 ishin lojërat më të mëdha luftarake sovjetike të mbajtura ndonjëherë, sipas CIA-s, me rreth 100,000 deri në 150,000 trupa pjesëmarrëse. Në vitin 2009, Rusia riinicioi lojërat e luftës katërvjeçare të epokës sovjetike, “Zapad”, të cilat u mbajtën për herë të fundit vitin e kaluar. Pentagoni nuk ka komentuar. Kina dhe Mongolia do të marrin pjesë në “Vostok-2018”, me Pekinin që do të dërgojë rreth 3,200 trupa. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Presidenti Vladimir Putin mund të marrë pjesë në stërvitje.

Shoigu tha se ushtria, forcat ajrore dhe njësitë e marinës do të marrin pjesë në stërvitjen që do të mbahet në të gjithë Lindjen e Largët dhe Siberinë. Si pjesë e një ushtrimi më të vogël ushtarak të kësaj jave nën kujdesin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, që është një grup i sigurisë i dominuar nga Moska dhe Pekini, avionë luftarakë kinezë u ulën të hënën në një bazë ajrore ruse në rajonin Chelyabinsk në Malet Urale. Ushtria ruse ka rritur hapësirën dhe frekuencën e manovrave të saj, mes të tensioneve me Perëndimin. Ajo gjithashtu ka zgjeruar lidhjet ushtarake me Kinën.