AKTUALITET, 16 Prill 2019, 19:15

Rusia e dënon për spiunazh, 63-vjeçari norvegjez nuk apelon, kërkon faljen e Putinit

Rusia e dënon për spiunazh, 63-vjeçari norvegjez nuk apelon,


Një gjykatë e Moskës ka dënuar një norvegjez, Frode Berg, 63 vjeç, me 14 vite punë të detyruar në një kamp të rreptë pune. Pasi u dënua për spiunimin e nëndetëseve të marinës ruse.

Berg, i arrestuar në Moskë më 2017, mohoi akuzën, por me pas ai pranoi se vepronte si një ndërlidhës për inteligjencën norvegjeze, por tha se kishte pak njohuri për misionin.

Ndërkohë, avokati i Berg, Ilya Novikov, thotë se klienti i tij nuk do të apelojë kundër aktgjykimit, por do të kërkojë falje nga presidenti Vladimir Putin.

Norvegjia, vend anëtar i NATO-s, ndan kufirin Arktik me Rusinë dhe prej dekadash marrëdhëniet mes tyre kanë qenë miqësore, madje edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Por, lidhjet janë përkeqësuar që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.

Tani pritet që qeveria norvegjeze të ndërhyjë për rastin e 63-vjeçarit, përmes kanaleve diplomatike.