AKTUALITET, 16 Prill 2019, 17:58

Kosovë, policia largon fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugë

Kosovë, policia largon fëmijët që kërkojnë

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion për largimin e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë. Në njoftim bëhet me dije se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qënieve Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale të Prishtinës, gjatë ditës së djeshme ka marrë masa për largimin e fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët dhe për verifikimin nëse janë viktima të ndonjë forme të trafikimit.

Mësohet se policia edhe u ka ofruar mbrojtje dhe asistencë këtyre fëmijëve.

“Nga veprimet operative në terren janë identifikuar gjithsej 23 persona duke kërkuar lëmoshë, prej tyre 9 kanë qenë fëmijë ndërsa 14 kanë qenë të rritur. Pas hetimeve dhe verifikimit të situatës të personave të identifikuar nga DHTQNJ dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë inicuar 4 raste për veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve. Apelojmë tek të gjithë qytetarët që mos t’u japin lëmoshë këtyre fëmijëve që janë në rrugë, sepse me atë veprim vetëm stimulohen për të kërkuar lëmoshë dhe kjo i dëmton ata fëmijë. Humaniteti qytetar mund të shprehet në shumë forma tjera”, thuhet në njoftim.