TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rudina Hajdari kryetarja e Grupit Demokrat në Parlament u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga aktet e dhunshme, të cilat sipas saj nxiten nga interesat e politikanëve.
Hajdari tha sot se Kushtetuta e vendit është e shenjtë dhe nuk dhunohet. Në deklaratën e saj, Hajdari fajëson opozitën jashtë parlamentit që refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe kjo solli pasoja shkatërruese ndaj popullit shqiptar.
Ajo ka shkuar më tej, teksa thotë se vendimi i opozitës pengoi rrugën drejtë hapjes së negociatave.
“Nga njëra anë opozita jashtëparlamentare, e cila dogji mandatet e deputetit dhe nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 30 qershorit, pasojat e së cilës janë regresive dhe shkatërruese ndaj popullit shqiptar, po pengon rrugën drejt zhvillimit dhe hapjes së negociatave drejt Integrimit Europian, duke zhvilluar protesta të dhunshme që dëmtuan qytetarin e thjeshtë dhe imazhin e Shqipërisë nëpër tërë botën”, thekson deputetja.
Hajdari në një konferencë nga Kryesia e Kuvendit tha se mungesa e demokracisë brenda partive politike ka çuar në përçarje të elektoratit dhe spektrit politik.
“Duhet të shikojmë me vëmendje se nga vijnë burimet financiare të çdo partie, që tashme duket sikur janë kthyer në korporata që janë në shërbim të kryetarëve të tyre. Mungesa e demokracisë brenda tyre ka sjellë një përçarje të elektoratit dhe spektrit politik.
Kushtetuta është e shenjtë dhe nuk dhunohet. Ne duhet të mbrojmë vullnetin e atyre që luftuan për ta bërë Shqipërinë një anëtare të NATO-s dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet që ka të gjitha premisat për t’u futur në Bashkimin Evropian. Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë dhe të rëndojë mbi jetën e qytetarëve.
Ndaj bëj thirrje për distancim nga nxitja e dhunës nga të gjitha palët për hir të interesit të Shqipërisë. Nuk mund të lejojmë që nga lufta midis politikanëve që shohin vetëm interesat e tyre të ngushtë, të shkatërrohet Shqipëria.
Distancohuni nga dhuna, e mos u bëni pjesë e lojërave të tyre politike që nuk i shërbejnë as ju dhe as vendit. Të dashur qytetarë, ka ardhur koha që të distancohemi nga këta politikanë që po e thellojnë krizën përditë e më shumë, e të vazhdojmë rrugën europiane për një anëtarësim sa më të shpejtë në BE!”, thekson ajo.