AKTUALITET, 29 October 2026, 11:34

Rriten tensionet në Kuvend/ Deputetët e PD hedhin sende në drejtim të Ramës, kryeministri largohet nga salla (VIDEO)

Rriten tensionet në Kuvend/ Deputetët e PD hedhin sende në

Deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. 

Rama është larguar nga salla e Kuvendit pas votimit për projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.

Pas miratimit të projektligjit me 84 vota pro, kryeministri Edi Rama është larguar nga Kuvendi.

Çfarë parashikon projektligji për BSH?

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, në nenin 72 parashikon një mbrojtje të posaçme për Guvernatorin nga arrestimi.

Sipas përshkrimit të dispozitës, Guvernatori do të mbrohet nga arresti me burg, arresti në shtëpi dhe çdo masë tjetër shtrënguese, nëse akuzohet për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës dhe funksionit të tij.

Projektligji është hartuar nga vetë Banka e Shqipërisë dhe është propozuar nga Ministria e Financave, siç thuhet në relacionin që e shoqëron.

Nëse akuza ka të bëjë me vepra që lidhen me funksionin, si shpërdorimi i detyrës ose korrupsioni i lidhur me të, vendimi kalon përmes filtrit të Kuvendit, i cili vlerëson nëse vepra ka lidhje direkte me detyrën.

Nëse Kuvendi e vlerëson se lidhja ekziston, arrestimi nuk mund të kryhet. Për vepra që nuk lidhen me funksionin, siç mund të jetë një aksident rrugor me pasojë vdekjen, mbrojtja nuk zbatohet dhe arrestimi mund të bëhet sipas procedurës së zakonshme.