BOTA, 29 October 2026, 14:39

Modelet e vjetra/ Vatikani zbulon garazhin e shenjtë të papamobilave të përdorur që nga viti 1930

Modelet e vjetra/ Vatikani zbulon garazhin e shenjtë të papamobilave

Vatikani i ka kushtuar një ekspozitë të veçantë papamobilit, automjetit ikonik që prej gati një shekulli u ka mundësuar papëve të afrohen me besimtarët gjatë vizitave baritore dhe ceremonive publike. Ekspozita, e organizuar nga Muzetë e Vatikanit, prezanton tetë modele Mercedes-Benz të përdorura nga papët që prej vitit 1930 dhe hapet zyrtarisht për publikun të enjten.

Parapamja e ekspozitës, e titulluar “Një Shekull të Papës”, u prezantua të mërkurën, duke sjellë në vëmendje evolucionin e automjetit që me kalimin e viteve është shndërruar nga një mjet transporti në një simbol të takimeve të Papës me besimtarët në mbarë botën.

Me këtë rast, Papa Leo XIV u takua gjithashtu me drejtuesit e lartë të kompanisë Mercedes-Benz, të cilët i falënderoi për partneritetin me Selinë e Shenjtë. Në fjalën e tij, Papa vlerësoi rolin e zhvillimeve teknologjike në transformimin e udhëtimeve papnore dhe në lehtësimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit.

“Gjatë dekadave, papamobili ka evoluar nga një mjet transporti në një instrument takimi, duke i mundësuar Papës t’u afrohet besimtarëve gjatë vizitave baritore dhe festimeve publike”, deklaroi Leo XIV. Ai shtoi se zhvillimi i këtyre automjeteve ka ndihmuar në përmbushjen e misionit të Kishës për t’u afruar njerëzve dhe për të përcjellë mesazhe besimi, shprese dhe bamirësie.

Modeli më i vjetër i ekspozuar është Mercedes-Benz Nürburg 460, i dhuruar Papa Pius XI më 23 maj 1930. Automjeti dallohej për luksin dhe përpunimin e veçantë, me një kolltuk të veshur me brokadë mëndafshi dhe detaje prej druri e metali të punuar.

Sipas Sandro Barbagallo, kurator i Departamentit të Koleksioneve Historike në Muzetë e Vatikanit, automjeti ishte projektuar dhe përgatitur posaçërisht për përdorim papnor, duke shënuar dallimin mes një makine të prodhuar në seri dhe një modeli të përshtatur në mënyrë unike për Papën.

Barbagallo shpjegoi se zhvillimi i papamobilit ndër vite është udhëhequr nga nevoja për t’i mundësuar Papës të shihet nga besimtarët, por njëkohësisht të ruhet siguria dhe rehatia e tij. Modelet e mëvonshme pasqyrojnë ndryshimet në mënyrën se si papët kanë komunikuar me publikun gjatë udhëtimeve të tyre. Në vitin 1960, Papa Gjon XXIII mori një Mercedes-Benz Landaulet 300 d, i pajisur me dritare anësore të pasme të lëvizshme, që lejonin një kontakt më të drejtpërdrejtë me njerëzit përgjatë rrugës.