AKTUALITET, 18 Qershor 2020, 11:10

Rreziku nga koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë: Këta persona janë burim infeksioni, të mos dalin

Rreziku nga koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë: Këta


Me rritjen e shifrave të të infektuarve, në 24 orët e fundit janë rritur edhe shtrimet në Spitalin Infektiv, ndërsa janë ulur personat e shtruar në terapi intensive dhe të intubuar.

“Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar”, tha ministria.

Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Ministria theksoi se nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëhet apel të gjithëve:

“Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.

Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.

Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.

Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19″.

COVID-19 – Statistika (18 Qershor 2020)

Testime totale 21790

Raste pozitive 1788

Raste të shëruara 1086

Raste Aktive 663

Humbje jete 39 (Qarku Tiranë 22, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 4, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 326

Durrës 132

Shkodër 111

Vlorë 42

Fier 24

Elbasan 9

Korçë 7

Lezhë 5

Kukës 5

Gjirokastër 1

Berat 1