SPORT, 7 Mars 2020, 10:21

Rreziku nga Koronavirusi, Gjimshiti: Para disa ditëve mbaroi mielli dhe makaronat, tani shikoj Netflix

Rreziku nga Koronavirusi, Gjimshiti: Para disa ditëve mbaroi mielli dhe


Italia është mbërthyer nga ankthi i virusit vdekjeprurës, Koronavirus. Në këtë situatë të vështirë nuk mund të mbetej jashtë as bota e sportit, teksa në Serinë A është vendosur që për një muaj të luhet me dyer të mbyllura për të shmangur përhapjen e virusit.

Momentin e rënduar e sqaron për mediat zviceriane edhe Berat Gjimshiti, i cili jeton në Bergamo një nga zonat më të prekura nga virusi famëkeq. Mbrojtësi i kombëtares dhe Atalantës rrëfen se para disa ditëve raftet e supermarketeve u zbrazën dhe nuk kishte miell e makarona.

Gjithashtu, Gjimshiti shprehet se tashmë qëndron në shtëpi për të ngrënë dhe jo në restorante, ndërsa ka më shumë kohë për të parë filma apo serialë në Netflix. “Një ditë rutinë tashmë në Bergamo është makinë, stërvitje dhe shtëpi.

Asgjë tjetër. Situata këtu në Bergamo është përkeqësuar. Rregulli i thjeshtë është: sa më pak kontakt me njerëz të tjerë. Kjo është arsyeja pse ditët e mia janë bërë shumë monotone. Shkoj në stërvitje me makinë dhe më pas drejt e në shtëpi. Ndërkohë, bëj edhe pazarin.

Pak ditë më parë në supermarkete kishte mbaruar mielli dhe makaronat, por tashmë raftet janë mbushur sërish. Furnizimi funksionon në mënyrë perfekte. Tani çdo ditë hamë në shtëpi, në mesditë dhe në darkë.

Nuk ka më restorante dhe nuk dalim jashtë. Kjo do të thotë se shoh shumë shpesh Netflix dhe ndeshje futbolli. Por, nuk ka nevoja të bëjmë lojëra. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh Gjimshiti.